Gjykata e Apelit në Tiranë ka konfirmuar dënimin me burg të përjetshëm për Erdet Capokun, i cili akuzohet për vrasjen e kunatës, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Çapoku u dënua për vrasjen e kunatës së tij Enkeleda Çapokun, të cilën e ekzekutoi në janar të vitit 2020 në sy të vajzës së mitur.
Enkeleda Çapo, u vra në dhomën e saj të gjumit, teksa flinte me vajzën 18 vjeçe. Mbrëmjen e së enjtes, vëllai i burrit hyri me forcë në shtëpi dhe personi i parë me të cilin është përballur ka qenë mamaja e Enkeledës, të cilën e ai e ka goditur, dhe me pas ka shkuar në dhomën ku Enkeleda flinte. Ai e ka goditur Enkeledën me mjete të forta duke i shkaktuar asaj vdekjen në vend.
Dëshmia në Polici
“Dje isha pushim, nuk dola në punën që bëj si fatorino. Piva gjithë ditën alkool. Jetoj me qira në “Rrugën e Burgut”. Pasi piva alkool deri në orën pesë mbasdite mbaj mend qe pashë edhe ndeshjen me Barcelonën. Pastaj nuk mbaj mend asgjë, s’di se çfarë kam bërë. Di që u çova nga lokali me mendimin për të shkuar afër shtëpisë, pasi gjithë ditën qëndrova në Paskuqan”, ka thënë Çapoku.
Erdet Çapoku ka pretenduar gjithashtu se i ka kërkuar vëllai në burg që t’i ruante gruan.
“Im vëlla më thoshte përherë ruaje nusen time, unë dhe ajo kishim përherë debate. Prej muajsh jetoja me qira”, ka treguar Erdeti.
Vrasësi 34 vjeçar, deri tre vite më parë, ka jetuar në shtëpinë e Enkeledës, pasi bashkëshorti i kësaj të fundit prej shtatë vitesh ndodhet në burg.
Por në një moment, Enkeleda vendos t’a largojë kunatin e saj nga shtëpia, dhe Erdeti del në një tjetër shtëpi me qira. Këtu dyshohet se lindën pikërisht edhe konfliktet pasi Erdeti i kërkonte Enkeledës, orendi dhe sende shtëpiake. Konflikte këto që shuhen pasi ai merr orenditë që kishte kërkuar.
Edhe pse kishte urdhër mbrojtje Enkeleda vazhdonte të ishte nën kërcënimet e Erdetit, kunatit të saj, i cili i kishte kërkuar viktimës të tërhiqte denoncimin në të kundërt do ta vriste, akt të cilin e finalizoi në janar të vitit 2020 shtëpinë e viktimës.
Top Channel