Mosha nuk e pengon Joe Biden të pretendojë një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në fakt, demokrati 79 vjeçar synon të garojë sërish për president më 2024.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë , Jen Psaki pohoi për gazetarët se ky është synimi i tij.
Ajo i ka bërë këto komente në avionin presidencial, teksa Biden është nisur për të marrë pjesë në një organizim me trupat amerikane për Festën e Falënderimeve.
Javën e kaluar, Biden iu nënshtrua një ekzaminimi fizik, i pari që prej marrjes së postit të presidentit në janar të vitit 2021.
Mjekët dolën në përfundimin se ai është i shëndetshëm për të kryer detyrat e tij. Mbështetja ndaj Bidenit ka rënë në muajt e fundit, çka ka nxitur pyetje nëse ai është i gatshëm për të garuar për një mandat të dytë.
Një president amerikan mund të mbajë dy mandate katërvjeçare.
Republikani, Donald Trump, 75-vjeçar, i cili është mposhtur nga Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, nuk është deklaruar publikisht nëse do të garojë sërish.
Top Channel