46 persona, shumica shqiptarë, kanë humbur jetën në një aksident rrugor të ndodhur të martën në mëngjes në perëndim të Bullgarisë.
Mediat bullgare shkruajnë se autobusi me targa maqedonase, i nisur nga Stambolli me destinacion Shkupin u përplas me barrikadat e rrugës dhe më pas u përfshi nga flakët.
Mes viktimave ka edhe fëmijë, ndërsa janë shpëtuar vetëm 7 persona, të cilët kanë dalë nga pjesa e pasme e autobusit.
Në këtë aksident tragjik, mësohet se është shuar një familje me 12 anëtarë, përfshi edhe dy fëmijë binjakë.
Në mesin e viktimave janë edhe dy shtetas të huaj, nga Belgjika dhe Serbia.
Grupi hetimor po punon për evidentimin e shkakut të aksidentit, por deri më tani dyshohet për një përgjumje të shoferit, pasi rreth 15 minuta më herët ishin nisur nga një pikë karburanti, ku kishin pushuar për disa minuta.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se autobusi po kthehej në Shkup, pas një udhëtimi në qytetin turk të Stambollit.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev e konsideroi aksidentin një tragjedi, ndërsa theksoi se nuk ka dijeni nëse të gjitha viktimat janë nga Maqedonia e Veriut.
“Kjo është një tragjedi. Ne nuk e dimë nëse të gjitha viktimat janë nga Maqedonia e Veriut, por supozojmë se është e tillë sepse autobusi është i regjistruar në vend”, tha Zaev në një intervistë për mediat.
Pas mbërritjes në vendngjarje, ministri i Brendshëm bullgar Bojko Rashkov tha se trupat e viktimave ishin djegur plotësisht.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka kontaktuar edhe me homologun e tij bullgar.
Nuk kanë munguar edhe mesazhet e ngushëllimit nga krerët e politikës në Shqipëri, si kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Aksidentet tragjike nuk kanë munguar gjatë viteve të fundit në Bullgari.
Një i tillë, ka ndodhur në vitin 2018, ku 17 turistë bullgarë humbën jetën pas humbjes së kontrollit të autobusit, si pasojë e lagështirës në rrugë.
Mësohet se aksidentet kanë ndodhur si pasojë e kushteve jo të mira në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë të lartë.
Referuar të dhënave zyrtare në Bullgari kanë humbur jetën nga aksidentet rrugore 628 persona më 2019, ndërsa vitin e kaluar 463. Vendi shënon një numër popullsie prej 6.9 milionë banorë.
Top Channel