Me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” policia e Elbasanit arrestoi mbrëmjen e së hënës ish kryeinspektorin e IMT-së pranë Bashkisë Elbasan, 38 vjeçarin Mario Qosja i cili dyshohet se ka lejuar ndërtimin pa leje të një objekti 1200 metra katrorë në zonën e Llixhave.
Në kuadër të operacionit të koduar “Llixha” në prangat e policisë ka rënë edhe shtetasi N. K., 50 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndërtonte pa leje.
Gjithashtu në kuadër të operacionit për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e ndërtimeve pa leje, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, policia procedoi penalisht dhe një inspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan.
Nga hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik–Financiar në DVP Elbasan, në lidhje me një ndërtim pa leje në sipërfaqe të madhe ndërtimore në zonën e llixhave, Njësia Administrative Tregan, Elbasan, është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e institucioneve shtetërore, kryesisht të Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan.
Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me këtë rast ka rezultuar se në muajin janar dhe shkurt 2021 të jetë bërë ndërtim pa leje me sipërfaqe 1200 m katror, në dy kate, nga shtetasi N. K., në vendin e quajtur “Llixha”, dhe në vijim të jetë aplikuar për legalizim tek ASHK.
Po nga hetimet dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre, shtetasit Marjo Qosja me detyre kryeinspektor dhe A. Z inspektor, ndaj të cilit është marrë masa e ndjekjes penale, të kenë favorizuar këtë shtetas për të kryer ndërtimin pa leje.
Materialet i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Top Channel