Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të jenë të detyruar t’i nënshtrohen periodikisht testit të drogës.

Urdhri është firmosur këtë të hënë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me laboratorin mjekësor ‘Intermedica Center sh.p.k”, në kuadër të rritjes së standardeve dhe integritetit personal të të gjitha strukturave, si në ato vendore dhe qendrore.

Nano tha se kjo marrëveshje është shumë e vlefshme për rritjen e imazhit të Policisë në komunitet dhe për fitimin e besimit të qytetarëve. Ai theksoi se kryerja e testit periodik për përdorimin e lëndëve narkotike do të eliminojë akuzat e dashakeqësitë ndaj Policisë së Shtetit.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtor Nano i ka kërkuar përfaqësuesit të laboratorit, paanshmëri, garanci maksimale në kryerjen e këtij testi dhe ruajtje të konfidencialitetit të të dhënave.

Administratori Thoma Vasili ka garantuar Drejtorin e Përgjithshëm, për standardet maksimale në këtë drejtim dhe ka siguruar mbështetje të përhershme për Policinë e Shtetit.

Në kuadër të marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm ka nxjerrë dhe urdhrin përkatës për të gjitha strukturat qendrore dhe vendore.

Top Channel