Dy kallëzime të dorëzuara nga ministria e Drejtësisë mbi abuzimet në burgje për ministrin e drejtësisë Ulsi Manja nuk janë gjë tjetër veçse pjese e një operacioni që synon pastrimin e sistemit penitenciar nga zyrtarët e dyshimtë.

I pyetur nga TCH mbi rekrutimin në burgje të 153 policeve, të dënuar të formës së prerë që duhet të ishin larguar nga sistemi mbas këtij konstatimi,

Manja shton se përpos shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët që i pranuan, ka gjithashtu edhe dëm ekonomik.

Manja: Një pjese u është dhënë mundësia të largohen me dorëheqje , kur në fakt do të duhet të ishin shkarkuar dhe largimi me dorëheqje sigurisht ka pasoja ekonomike, sepse personat që largohen me dorëheqje marrin në dijeninë time, dy paga kalimtare shpërblim. Gjithësesi këta janë element të hetimit, për sa i përket pasojave ekonomike financiare në rastin konkret që i janë shkaktuar shtetit nga veprimi ose mos veprimi i zyrtarëve të caktuar në sistemin e drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve unë sot kam urdhëruar auditin financiar.

Por dëm ekonomik në buxhetin e shtetit vlerësohet se ka sjellë edhe një marrëveshje disa vjeçare me një kompani e cila u shet të burgosurve karta telefoni me shumëfishin e tregut. Edhe në këtë rast ministria e drejtësisë akuzon zyrtarë e ish zyrtarë të burgjeve.

Manja: Këtë do të duhet ta thotë drejtësia, ndërsa për sa na takon ne si ministri e Drejtësisë, do të duhet të ndjekim me shumë seriozitet procesin gjyqësor në Gjykatën e Apelit Administrativ sepse në rastin konkret nëse gjykata do të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, nga këto veprime apo mos veprime të papërgjegjshme të ndodhura në kohë, ministrisë së Drejtësisë, drejtorisë së Burgjeve dhe shtetit në finale i shkaktohet një dëm rreth 850 milionë lekë të vjetra.

Skandali në burgje shtohet më tej edhe nga gjetjet e kontrollit të Lartë të Shtetit që konstatoi shkelje në tenderin e ilaçeve të dyshuara se ishin të skaduara. Nëse do të firmosen apo jo shkarkime të kupolës në burgje ashtu si rekomandon KLSH, Ulsi Manja ia lë të nesërmes mbas auditit që po kryen dikasteri i tij.

Top Channel