Nëse sot jemi krenarë që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, kjo është meritë e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë, u shpreh socialisti Taulant Balla, në Konferencën e Organizatës së veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë në luftën për çlirim nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Nuk duhet të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasoi pas vitit 1945.
Prandaj, nderimi që i bëhet çdo dëshmori që dha jetën për Çlirimin e Atdheut, çdo nderim që bëhet në familjet e dëshmorëve është një vlerë që shoqëria jonë duhet ta përçojë në brezat e ardhshëm.
“Faktet flasin se Lufta Nacionalçlirimtare nuk ishte një konflikt idesh, por një betejë ushtrish të pabarabarta; nuk ishte një ndeshje e zakonshme, por një luftë e përgjakshme në malet, luginat, qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, ku partizanët luftuan, u plagosën, u ringritën, u vranë dhe mbetën të skalitur në historinë, këngët dhe kujtesën e të gjithë shqiptarëve.
Dhe nëse për këto të vërteta nuk ju bindin socialistët shqiptarë, të cilët e kanë për nder të jenë partia e pasardhësve të partizanëve, çlirimtarëve dhe veteranëve të kësaj Lufte epike, bëni durim, lexoni e rilexoni çfarë thonë aleatët e mëdhenj të partizanëve shqiptarë.
Partizanët shqiptarë luftuan kundër okupatorëve të egër, të cilët nuk erdhën në Shqipëri si kalimtarë, por me një qëllim të qartë dhe të deklaruar: pushtimin e vendit. Këtë nuk e themi vetëm ne, nuk e thonë as vetëm historianët seriozë dhe patriotë shqiptarë, por edhe studiues prestigjiozë të huaj.
Historiani amerikan Bernd Fischer, në librin e tij “Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945”, duke iu referuar dokumenteve gjermane, e përshkruan hyrjen e forcave gjermane në tokën shqiptare si një pushtim i vërtetë: “Planifikuesit ushtarakë të Vermahtit gjerman, nënvizon Fischer, i kishin përgatitur mirë planet për pushtimin e Shqipërisë”, u shpreh Balla.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist u shpreh krenar për propozimin që ka bërë për të vlerësuar Organizatën e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, për kontributin që ka dhënë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.
Top Channel