Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë akuzat e kreut të PD-së, Lulzim Basha, i fundit ky që ka deklaruar se ish-kryeministri ka bashkëpunuar me kriminelët për të mbledhur firmat e anëtarësisë. Mes emrave që Basha përmend është edhe ai i Suel Çelës.
Sot nga foltorja e Librazhdit, Berisha ka drejtuar nga kamera librarinë e tij digjitale dhe ka treguar se ka plot 26 denoncime për Suel Çelën. Sa i përket akuzave të Bashës, Berisha sugjeroi që të merren tabulatet telefonike të Bashës me të dhe të kontrollohet se sa herë kreu i PD-së ka kërkuar që Berisha të mos e përmend emrin e Suel Çelës në denoncimet e tij.
“Cilido të vijë këtu te unë dhe të shkruajë emrin në librarinë digjitale timen. Suel Çela ja ku dalin 26 statuse në fb tim. E kam denoncuar atë unë më shumë se të gjitha mediat,.. Merrni pak facebookun e Bashës po ia ka përmendur sikur një herë. Merrni pak tabulatet e bisedave të tij me Berishën duke i kërkuar aman mos ja përmend emrin, por natyrisht unë nuk ndikohesha prej tij.
I ka ngelur vetëm shpifja, trillimi dhe tërbimi. Në këto rrethana pengun e urdhëruan të thërrasë Kuvendin e datës 18. Jo vetëm që janë 4200, por e vërteta është se po shkojnë drejt 5000. Ne nuk i publikojmë se ka 3 pengesa të mëdha ligjore që kurrë nuk mund të publikohen. Ligji i të dhënave personale, neni i Kushtetutës që mbron të dhënat Personale dhe Konventa Europiane e të drejtave të njeriut që pengon publikimin e të dhënave personale. Një gjë të tillë e bëjnë vetëm zuzarë, njerëz që s’kanë as ligj e moral. Ne nuk përsërisim Edi Ramën, nuk riprodhojmë patronazhistët e Edi Ramës”, tha Berisha.
Top Channel