“Ndihemi të pasur nga trashëgimia që na ka lënë”/ Me lot e nostalgji, artistët shkodranë përcjellin dramaturgun Fadil Kraja

19/11/2021 11:29

Në teatrin “Migjeni” zhvillohen sot homazhet në nder të shkrimtarit dhe dramaturgut shkodran, Fadil Kraja, i cili ndërroi jetë një ditë më parë, në moshën 91-vjeçare.

Të afërm, koleg e qytetarë shkodran kanë marrë pjesë në homazhe, ndërsa shprehen se Fadil Kraja ka lënë një trashëgimi të vyer për teatrin e Shkodrës dhe dramaturgjinë në Shqipëri.

Iku nga kjo botë, por ai është prapë mes nesh, nuk besoj që të ketë ndonjë aktor që të mos i ketë veprat e tij në shtëpi. Shumë shpejt mund të vijë koha për një vënie apo rivënie në skenë. Sot është ditë e trishtë për qytetin dhe teatrin, por në fund të fundit sot kemi mundësi të kujtojmë vlerat e tij dhe çfarë ai na ka lënë. Ndihemi të pasur me gjithçka ia ka lënë për ne”, u shpreh aktorja Merita Smaja.

Është një humbje e pazëvendësushme. Fadil Kraja ishte shumë për Shkodrën. Për mua ka qenë mësues, bashkëpunëtori, miku im. Na mbajti afër që në fëmijërinë tonë e gjatë gjithë rrugëtimit. Edhe tani që e kishte të pamundur të dilte, takimet në shtëpinë e tij ishin të veçanta”, shprehet kompozitori Zef Çoba.

Me nostalgji, ai kujton bisedat e fundit me artistin e ndjerë, që ishin të lidhura me krijimtarinë artistike:

Në çantën time, janë dhe dy tekste të shkruara me dorën e bashkëshortes së Fadilit. Profesori ia thoshte fjalët dhe ajo i shkruante. Dhe këto tekste presin një ditë tingujt muzikor që ai m’i besoi që unë t’i hedh në pentagram. Edhe bisedat tona të fundit ishin për botën tonë krijuese. Ishte personalitet i kompletuar. Kishe kënaqësi kur dëgjoje dhe mësoje gjëra prej tij”.

Krijimtaria dhe emri i Fadil Krajës lidhen ngushtë me Teatrin Kombëtar Shqiptar dhe Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku kontribuoi prej 60 vitesh. Ai është nderuar me titujt “Kalorësi i urdhrit së Skënderbeut”, “Mjeshtri i Madh”, “ Krenaria e Qytetit”.

Veprat e Krajës janë luajtur e vazhdojnë të luhen nga trupat teatrale të Kosovës, por edhe të Diasporës e të qyteteve të ndryshme në Shqipëri.

Fillimet e para në krijimtari datojnë në moshë të re. Vëllimi i parë poetik “Kënga ime” (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë.

Kraja ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme te shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Mes tyre përmenden: “Fisheku në pajë”, i cili vetëm në Shkodër u shfaq rreth 500 herë,

“Nata e fundit”, si dhe shumë drama për fëmijë, skenare filmash, librete operash dhe operetash.

Homazhet për këtë figurë të shquar zhvillohen nesër me datë 19 , nga ora 9-12, në hollin e teatrit “Migjeni”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA