“Mushkëria e botës po vdes”: Shpyllëzimi i Amazonës, nivele kritike

19/11/2021 15:45

Shpyllëzimi në pyjet tropikale të Amazonës në Brazil, të konsideruar ndryshe dhe si “mushkëria e botës”, ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në 15 vjet.

Një raport i Agjencisë braziliane të Kërkimit Hapësinor tregoi se brenda një viti, shpyllëzimi u rrit me 22%. Brazili është në mesin e disa vendeve që premtuan t’i japin fund shpyllëzimit deri në vitin 2030.

Këtë zotim, drejtuesit e tij e morën gjatë samitit të klimës që u mbajt këtë muaj në Glasgow të Skocisë.

Amazona është shtëpia e rreth tre milionë llojeve të bimëve dhe kafshëve dhe një milion banorësh indigjenë.

I gjithë ky rajon është një grumbullues jetik i karbonit, çka bën që të ngadalësohet ritmi i ngrohjes globale.

Por sipas të dhënave të fundit, rreth 13,235 km katrorë pyje atje janë zhdukur vetëm gjatë vitit të fundit, hapësira më e madhe që humbet që prej 2006-ës.

Ministri Brazilian i mjedisit e pranoi se shifra të tilla përbëjnë një “sfidë” të vërtetë për qeverinë.

Shpyllëzimi i Amazonës është rritur ndjeshëm që kur postin e presidentit e mori Jair Bolsonaro, i cili thuhet se i ka inkurajuar aktivitetet bujqësore dhe minerare në këtë zonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA