Me dy futbollistë me origjinë shqiptare në fushë Shkodran Mustafin dhe Enis Bardhin, Levante ndali në një barazim pa gola Athletic Bilbaon në sfidën që hapi javën e 14-të të La Ligas, një barazim që gjithsesi nuk i shkon përshtat asnjërës prej dy skuadrave pasi Levante mbeti në vendin e parafundit dhe nuk e ka provuar ende shijen e fitores në këtë sezon.

Ndërkohë edhe Bilbao e Marcelino Garcia Toral nuk po kalon një moment të mirë pasi në 4 javët e fundit ka marrë tre barazime dhe një humbje dhe për momentin ndodhet në vendin e 7-të.

Rastet më të mira në këtë sfidë i kishin pikërisht baskët të cilët fituan edhe një 11-metërsh në pjesën e parë në minutën e 20-të, penallti që më pas u anulua nga ndërhyrja e sistemit VAR. Athletic Bilbao e kërkoi më shumë fitoren dhe që në minutën e 5-të pati një shans të artë me Inigo Martinez. Levante u kundërpërgjigj në të 11-ën me Jorge de Frutos por as ky episod nuk solli asgjë.

Në pjesën e dytë ishte Bilbao që pa më shumë nga porta e Levantes, edhe pse Jorge de Frutos pati një tjetër rast të mirë në minutën e 77-të për të kaluar në epërsi vendasit, ndërsa 3 minuta më vonë, mundësia iu paraqit Nico Williams por Cardenas u shfaq në lartësinë e duhur. Në fund një 0-0 që nuk kënaqi askënd. Për t’u përmendur që Enis Bardhi dhe Shkodran Mustafi u zëvendësuan të dy në minutën e 73-të.

Top Channel