Këto janë pamjet e një ekspozite me fotografi dhe harta ,vendosur në kangjellat e presidencës, ku tregohet “genocidi grek ndaj popullsisë çame ” bashkë me “pushtimin e territoreve shqiptare nga Greqia”.
Burime diplomatike greke i thanë Top Channel se Ambasada greke në Tiranë ka dërguar një notë proteste ku kërkon shpjegim nga zyra e presidenti Ilir Meta, lidhur me këtë ekspozitë.
Pyetur për këtë notë proteste zyra e shtypit në presidencë tha:
“Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara. Çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.”
Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti theksohet në reagimin e presidencës që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Top Channel