​Tahiri thirrje Kurtit: Ndalo grupet kriminale dhe sulmet ndaj deputetëve!

19/11/2021 16:45

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Abelard Tahiri i ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti që të ndalojë grupet kriminale, siç i ka quajtur ai, dhe sulmet ndaj deputetes Blerta Deliu-Kodra.

Ai ka hedhur dyshime se vet Albin Kurti është i përfshirë në këto grupe dhe nuk mund të largojë nga pozitat udhëheqëse këta persona.

Ai tha se mazhoranca po e pamundëson rrjedhën normale të punës së kuvendit. Sipas tij, nuk ka seriozitet të deputetëve dhe ministrave të shumicës.

“Duket e pamundshme sepse kjo mazhorancë ka sjellur ministra të pa-përgjegjshëm, ministra jo-kompetent. Kur ministrat janë jo-kompetent për punën e tyre, siç e patë sot edhe rastin e ministres së drejtësisë, atëherë dalin me shpifje edhe me gjëra të pavërteta në raport me deputetët e opozitës. Pra, përkundër asaj që opozita mundohet me qenë konstruktive dhe t’i ndihmojë kësaj mazhorance, ne prapë shohim një degradim të vazhdueshëm nga vet mazhoranca. Pra, asnjëherë Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur dhe nuk ka përjetuar një degjenerim çfarë jemi duke parë tash e një periudhë jashtëzakonisht të gjatë”, ka deklaruar ai.

Më tej, Tahiri tha se janë të papranueshme sulmet e ministrave ndaj deputetëve të opozitës. Sipas tij, rezultati i 14 nëntorit ka goditur shumicën parlamentare dhe udhëheqësit e ministrave.

Ai i ka bërë thirrje edhe kryeministrit Albin Kurti, ku theksoi se dikasteret e tij janë kapur nga grupet e tyre kriminale.

“I bëjë thirrje edhe kryeministrit Kurti, që të ndalojë ato grupet e tyre kriminale dhe bandat që mos të sulmojë deputeten Blerta Deliu. Është e papranueshme që të sulmohen deputetët nga kjo mazhorancë dhe nga kjo qeveri. Ne tashmë shohim që dikasteret e kësaj qeverie, ashtu siç e thash edhe në kuvend, janë të kapura nga grupet kriminale. Dhe sot kemi vërejtje të mëdha edhe nga BE, edhe nga State Departament. Pikërisht me frikën që kanë për atë që shohin se nga kush janë kapur këto institucione kaq të rëndësishme, në këtë rast MD”, ka theksuar ai.

Ai ka hedhur dyshime se edhe vet kryeministri është i “kapur nga këta njerëz”.

“Njerëzit e tyre janë dënuar për fajde. Dhe imagjinoni se sa munden ta shtyjnë këta agjendën parlamentare përpara. Apo vetë kryeministri Kurti është i kapur nga këta njerëz, nga këto banda kriminale dhe nuk mund t’i largojë. Le të na i dëshmojë me largimin e tyre, që kryeministri nuk është i kapur nga këto banda kriminale. Dhe këta njerëz mund t’i largojë nga këto pozita tejet të rëndësishme”, ka deklaruar Tahiri.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës ka paralajmëruar se do të përdorin të gjithë instrumentet parlamentare për të demaskuar ministrat e kësaj qeverie.

“Ne do të përdorim të gjitha instrumentet parlamentare që t’i demaskojmë në radhë të parë këta njerëz që nuk janë kompetent. Dhe këta njerëz që realisht më shumë janë të kapur nga grupet kriminale. Pra, ma gjeni një vend të botës që një zëvendësministër i drejtësisë udhëheq më një dikaster kaq të rëndësishëm dhe ku familjarët e tij i ka të akuzuar për fajde dhe harraq”, ka shtuar ai në konferencë për media.

Organi më i lartë legjislativ është duke vazhduar me seancën plenare. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin për Provimin e Jurisprudencës, kjo pikë kishte përplasur deputetët e opozitës dhe ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu. /KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA