Humbja e dytë radhazi për Meksikën në eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022 në zonën e Amerikës së Veriut dhe asaj Qëndrore, me përfaqësuen Tricolor që në harkun e dy ndeshjeve zbriti nga vendi i parë në të 3-in.
Në Commonwealth Stadium në Edmonton, Meksika u mposht me shifrat 2-1 nga Kanadaja që mori kreun e grupit duke përfituar edhe nga ndalesa e amerikanëve. Sulmuesi i Besiktasit në kampionatin turk Cyle Larin ishte autori i të dy golave për kanadezët nga një për çdo pjesë ndërkohë që për Meksikën ngushtoi shifrat në fund mesfushori i Atletico Madrid Hector Herrera.
Dy gola të shpejtë në 22 minutat e para vendosën fatet e sfidës mes Xhamajkës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përfundoi në barazim 1-1. Djali i legjendës afrikane George Weah, Timothy Weah kaloi në epërsi amerikanët pas 11 minutash lojë, por në të 22-ën sulmuesi i West Ham Michail Antonio i cili pak kohë më parë ka vendosur të përfaqësojë vendin e tij të origjinës Xhamajkën barazoi për vendasit.
Kombëtarja që kërcënon më shumë për momentin Kanadanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës përsa i përket kualifikimit direkt në Botëror është Panamaja që mori një tjetër fitore me përmbysje pas asaj ndaj Hondurasit pasi mposhti 2-1 El Salvadorin me golat e Waterman dhe Gondola. Një gol në minutën e 95-të i Gerson Torres i dha tre pikë shpresëdhënëse Kosta Rikës që kaloi 2-1 Hondurasin duke mbajtur gjallë shpresat për kualifikimin në Katar 2022.
Top Channel