Basha: Përjashtim dhe për Berishën. Firma false. Kriminelët e Ramës ndihmojnë ish kryeministrin

18/11/2021 19:37

Sali Berisha rrezikon përjashtimin  nga  Partia Demokratike nëse ai nuk heq dorë nga lëvizja e tij për të mbajtur një Kuvend  paralel  qe bie ndesh me vendimin e Kryesisë së partisë.

Në një intervistë për Top Channel kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëron se do të zbatojë do masë qe parashikon neni 27 i Statutit për këdo që  dëmton interesat elektorale apo politike te partisë.

Ky mesazh i kryetarit të Partisë Demokratike duket si një paralajmërim edhe ndaj  deputetëve te cilët po mbështesin Berishën për mbledhjen e një Kuvendi më 11 dhjetor.

Gazetarja: A do e përjashtoni Sali Berishën nga partia nëse vazhdoni me idenë e tij të Kuvendit?

Lulzim Basha: Brenda familjes tonë politike ka nisur një lëvizje gjoja në emër të demokracisë së brendshme, në emër të statutit, por ka përfunduar siç e keni parë javën e kaluar, në shkelje flagrante të statutit, të demokracisë së brendshme dhe me një gjuhë linçuese jo thjeshtë ndaj institucioneve të Partisë Demokratike, të zgjedhura me votën e demokratëve, madje dhe me vet votën e Sali Berishës, por edhe me një fyerje të madhe me demokratët, e cila me thënë të drejtën nuk më vjen kënaqësi fare, është zbuluar dhe transmetuar edhe përmes televizionit tuaj. E pra, pikërisht për të dhënë fund tollovisë, frymës përçarëse, dëmtimit të interesave politike dhe elektorale të Partisë Demokratike nga interesat e një individi të vetëm që nuk e ka betejën as me mua apo me demokratët, por e ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ta bërë që t’i rri fjalës që ka dhënë, se nuk do ta përfshijë Partinë Demokratike në këtë betejë, por do ta lërë Partinë Demokratike në misionin e vet që është më i rëndësishëm më shumë se kurrë sot për demokratët dhe për shqiptarët, më 18 dhjetor Partia Demokratike, për demokratët dhe me demokratët do të ketë një Kuvend bashkimi. Çdo akt tjetër është akt përçarjeje dhe padiskutim që Partia Demokratike dhe statuti i saj ka rregulla të qarta, ka vija të kuqe të përcaktuara jo nga unë, por nga statuti dhe statuti do të zbatohet në çdo rast.

Gazetarja: A do keni të njëjtën masë disiplinore edhe për ata delegatë të cilët marrin pjesë në këtë Kuvend?

Lulzim Basha: Nuk ka Kuvend të Partisë Demokratike më 11 dhjetor. Qëndrimi për të përdorur Partinë Demokratike apo pjesë të Partisë Demokratike në këtë përballje me shtetet e Bashkuara të Amerikës, është thyerje e zotimit të Zotit Berisha para të gjithë demokratëve, është jo thjesht një përçarje dhe një linçim i demokratëve dhe i sakrificave të tyre, por është edhe një përpjekje për ta hequr Partinë Demokratike nga beteja ku ndodhet prej ditës së parë, në parlament dhe jashtë parlamenti, në betejë me regjimin e Edi Ramës, në betejë për të kthyer demokracinë dhe legjitimitetin në Shqipëri, në betejë për të luftuar për përditshmërinë e shqiptarëve që po bëhet çdo ditë e më e rëndë. Ne nuk jemi shfokusuar nga kjo betejë, pavarësisht të përpjekjes së Foltores për t’iu mbivendosur kësaj beteje. Por kemi parë se si me syshkeljen e regjimit, njerëzit që për Edi Ramën janë përballur me demokratët në 25 prill me armë, me para, me kërcënime në procesin e masakrës zgjedhore të 25 prillit, tani me syshkeljen e Edi Ramës janë nën flamurin e Sali Berishës.
Pa hezitimin më të vogël, nuk do të lejoj dhe nuk do të pranoj shkeljen e statutit për çarjen e Partisë Demokratike, ndaj me të gjithë fuqinë e statutit, libri themeltar, i jep kryetarit dhe institucioneve të Partisë Demokratike , do të marrim çdo masë që të jetë e nevojshme, që Partisa Demokratike të vazhdojë të jetë e bashkuar kundër Ramës dhe jo të shërbejë si një tub oksigjeni për një regjim i cili nuk ka as legjitimitetin dhe asnjë arsye të qëndrojë në këmbë.

Gazetarja: Para vendimit të kryesisë për të thirrur Kuvendin e 18 dhjetorit, a ka pasur negociatë me palën tjetër për një Kuvend të përbashkët?

Lulzim Basha: Do të ndërhyja me të gjitha fuqitë që më jep statuti për të garantuar që çdo vullnet demokrati për të mbledhur Kuvendin të respektohej. Por siç e dini, edhe afat demokratë që kanë besuar se po bëhej një betejë në emër të statutit apo të demokracisë së brendshme dhe që tani e kanë kuptuar që beteja bëhet për interesa personale të Sali Berishës për ta marrë Partinë Demokratike si mburojë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk arrijnë ta kuptojnë se si këto vullnete mund të kyçen në kasafortë. Për të ndalur transparencën dhe për të pamundësuar të vërtetën që është tashmë në sytë e çdokujt. Ka një Parti Demokratike e cila është Pro perëndimore, është Pro Euroatlantike dhe që është garancia e vetme që e bashkua të mund regjimin e Edi Ramës. Ka një person i cili po mundohet, një vendim krejtësisht jashtë pushtetit tonë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ta përdor që Partinë Demokratike ta kthejë në një bunker për t’u mbrojtur nga ky vendim. Kjo e dyta çon në një retorikë linçuese, në veprime përçarëse, të cilat nuk mund dhe nuk do të pranohen. Një Parti, një Kuvend më 18 dhjetor. Ky është vendimi i Kryesisë dhe ky do të zbatohet.

Gazetarja: Faleminderit!

Lulzim Basha: Faleminderit ju!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA