Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta, të cilat u takojnë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të 21 komunave, që u mbajt të dielën.
Numërimi i këtyre votave mund ta ndryshoi rezultatin në komunën e Dragashit, ku aktualisht kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini është duke prirë me vota.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se sot do të nis rinumërimi i mbi 9 mijë e 300 vota më kusht, ndërsa 990 janë refuzuar.
“Gjatë ditës së zgjedhjeve janë hedhur 10,303 vota të cilat janë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Pas procesit të verifikimit të tyre, janë konfirmuar 9,313 vota me kusht, ndërsa janë refuzuar 990. Arsyet e refuzimit mund të kategorizohen në 3 grupe: Votuesi me kusht ka votuar më shumë se një herë; votuesi me kusht nuk është në listën e votuesve; dhe votuesi me kusht nuk është nga komuna në të cilën ka votuar. Pra, në vazhdim do të numërohen 9,313 vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, rezultati i të cilave i bashkohet rezultatit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe votave nga jashtë Kosovës”, tha ai.
Lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se kjo do ndodh pasi të numërohet votat me kusht të personave me nevoja të veçanta konfirmimit nga PZAP dhe Gjykatën Supreme se nuk ka ndonjë çështje për t’u shqyrtuar.
“Sa i përket shpalljes së rezultateve përfundimtare të një procesi zgjedhor, kjo bëhet nga KQZ-ja pasi të bëhet numërimi i votave nga jashtë Kosovës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht; si dhe pasi të marrim konfirmimet nga PZAP dhe Gjykata Supreme se nuk kanë ndonjë çështje për të shqyrtuar/vendosur. Pas përmbylljes së këtyre proceseve të parapara me ligj, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të shpall rezultatet përfundimtare”, tha ai.
Elezi tutje u shpreh se KQZ është duke punuar në përmbylljen e procesit të zgjedhjeve lokale, i cili ka filluar në mes të muajit qershor, pasi ishte shpallur data e zgjedhjeve lokale.
Deri më tani, KQZ ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale dhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kryetar të 17 Komunave, që janë mbajtur më 17 tetor, shkruan KosovaPress.
Top Channel