Tirana luan nesër (e enjte, 20:45) ndeshjen e kthimit ndaj Dinamos, e vlefshme për raundin e 1-8-ve në Kupën e Shqipërisë. Bardheblutë kanë humbur 2-0 derbin e parë, por në kampionat triumfuan 4-0 ndaj “Bluve”.
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi foli për mediet rreth sfidës ndaj Dinamos. Kualifikimi është i vështirë, por jo i pamundur, teksa skuadra që kalon në çerekfinale do të përballet me Partizanin.
“Janë dy kompeticione të ndryshme, kemi ndeshjen e dytë. Në ndeshjen e parë kemi bërë 45 minuta jo të mira, më pas ndryshuam fytyrë. Kemi një ndeshje nesër për të përmbysur rezultatin.
Motivimi për të kaluar turin është, por të shohim se çfarë do të prodhojë fusha. Na duhet shumë punë për të përmbysur rezultatin, me këtë impenjim dhe mentalitet, duhet të fitojmë ndeshjen, më pas të mendojmë të përmbysim rezultatin 2-0″.
Trajneri durrsak komenton edhe gjendjen e skuadrës, me Redon Xhixhën që është në dyshim për takimin ndaj skuadrës së Shkëmbit.
Kemi pasur një javë të plotë, sot na është bashkuar Ismajlgeci. Seferi ka luajtur me kombëtaren, kemi probleme me Xhixhën. Nuk është në 100%, të shohim në seancën e fundit. Na mungon edhe Hoxhallari për arsye kartonësh.
Ne duam të shkojmë sa më gjatë, duam të fitojmë trofeun. Është e pavend të flasim për kampionatin, të fokusohemi te Kupa, na pret një ndeshje.
Nesër kemi ndeshjen e Kupës, do të impenjohemi maksimalisht, do të hedhim në fushë forcat tonë. Më pas është ndeshja me Kukësin, kemi kohë për t’u rikuperuar.
Ndalesa e kampionatit? Skuadra ka seriozitet, ka një përqendrim dhe vlerësim maksimal, është shumë e rëndësishme vazhdimësia në futboll”, deklaroi trajneri i Tiranës.
Top Channel