Komisioni Hetimor nis me debate/ Alibeaj “kërcënon” institucionet që s’kanë kthyer ende përgjigje

17/11/2021 12:59

Mbledhja e Komisionit Hetimor për 25 prillin këtë të mërkurë ka nisur me debate për shkak të një shkrese drejtuar institucioneve publike nga kryetari i këtij komisioni, z.Enkeled Alibeaj.

Zv.kryetari i këtij komisioni, Toni Gogu e konsideroi këtë veprim si një kërcënim për institucionet publike, të cilat sipas tij kanë respektuar me korrektesë afatin që u përcakton ligji, duke sjellë në kohën e duhur përgjigjet e kërkuara nga anëtarët e këtij komisioni.

Ai theksoi se kryetari i Komisionit Hetimor ka thelluar paligjshmërinë e tij dhe për pasojë edhe të këtij komisioni.

Gogu kërkoi një ndryshim në rregulloren e këtij Komisioni, me qëllimin që veprimtaria e tij të mos futet në kushtet e paligjshmërisë.

Ai sugjeroi se çdo njoftim i bërë nga kryetari i këtij komisioni të bëhet në respekt të rregullores, ku çdo shkresë për informacion e dalë nga ky komision, të kundërfirmohet edhe nga sekretari i këtij komisioni.

Nga ana tjetër, Alibeaj e konsideroi këtë kërkesë të zv.kreytarit të këtij komisioni si tentativë për të penguar punën e këtij komisioni për të hetuar zgjedhjet e 25 prillit.

Gogu: Në mbledhjen e kaluar ju u keni bërë një tërheqje vëmendje institucioneve, të cilën ne e denoncuam me argumentin se ajo po bëhej pa skaduar afati që ju i kishit caktuar në mënyrë të njëanshme në shkresën që i kishit dërguar atyre. Megjithatë, kërkesa jonë dhe denoncimi ynë jo vetëm që s’u mor në konsideratë, por ju e keni thelluar paligjshmërinë e veprimtarisë tuaj dhe si pasojë e këtij komisioni duke e përcjellë në formë shkresore atë fletërrufe e cila ishte në kundërshtim me kornizën që ne na ka dhënë ligjvënësi për të kërkuar informacion zyrtar dhe jam vënë në dijeni se keni nisur një shkresë, që nuk është as kërkesë për informacion ku tërhiqni përsëri vëmendjen, madje kërcënoni sepse i kujton insitucioneve zyrtare që janë duke kthyer përgjigje në kohë rekord, pasi jam vënë në dijeni nga sekretaria, edhe pse një informacion vuluminoz.

Ju e bëni këtë gjë në emër të komisionit në kundërshtim të plotë me rregulloren që ne bashkë kemi miratuar. Rregullorja thotë se për çdo shkresë që ju nisni duhet të informoni zv.kryetarin dhe patjetër që shkresa duhet të kundërfirmohet nga i vetmi institucion që ne kemi caktuar brenda këtij komisioni dhe që ligji e ka përcaktuar me kompetenca që është sekretari i këtij komisioni. Ju këtë gjë nuk e keni bërë. Për këtë arsye duke qenë se veprimtaria e komisionit hetimor në vend që të fokusohet tek hetimi dhe të përshpejtojmë një orë e më parë të gjitha veprimet tona proceduriale drejt hetimit, ne detyrohemi të përballemi me një veprimtari të kundraligjshme të kryetarit të këtij komisioni, e cila vazhdon.

Kështu do të propozoja që ta rregullonim këtë veprimtari që të mos shkojë më komisioni dhe veprimtaria e tij në kushtet e paligjshmërisë. Dhe aktet e tona të mos kërcënohen ligjerisht. Unë propozoj se çdo njoftim ju ta bëni në respekt të rregullores. Gjithashtu, duke u kundërfirmua kërkesa nga sekretari i këtij komisioni. Amandamentin e kemi gati, ju ftoj ta votojmë së bashku.

Bardhi: Çfarë ishte kjo kërkesë?

Alibeaj: Kërkesa ishte e tillë. Ka një pretendim që nuk është respektuar prej kryetarit, njoftimi për të gjitha shkresat që ngre kryetari, nuk është njoftuar sekretari. Përgjigja është në ligj. Neni 14 thotë se ligji për komisionet hetimore është akti kryesor bazë mbi të cilin del dhe rregullorja. Çfarë thotë? Neni 14 kërkimi i të dhënave. Anëtarët e komisionit, kanë të drejtë t’i kërkojnë komisionit të marrin të dhëna dhe shkresa zyrtare që lidhen me çështjen. Kërkesa për hetime ose marrje provash nga çdo anëtar, pranohet nga komisioni pa hetim. Pika dy, kërkesat për marrjen e të dhënave i drejtohen kryetarit ose zv.kryetarit që i paraqet në mbledhje.

Të gjitha kërkesat më drejtohen mua si kryetar. Zv.kryetari i ka lexuar në këtë mbledhje. Kërkesat zyrtare drejtuar titullarëve të institucioneve publike për të sqaruar rrethana dhe fakte, si dhe shqyrtimi dhe mbledhja e dokumenteve bëhet dhe ndiqet nga kryetari. Shkresat përkatëse i njoftohet zv.kryetarit. T’i rikthehemi mbledhjes së mëparshme. Ishte ditë e mërkurë ora 17:00, lexuam kërkesat që kishim drejtuar, dhe në fund bëra këtë paralajmërimin në atë kohë. Do të çonim një kërkesë rikujtesë, detyrimin e papërmbushur nga institucionet brenda afatit 6 ditor, dhe ajo shkresë do të përmbante paralajmërimin për paraqitjen e kallëzimit penal për shpërdorim detyre të atyre institucioneve që nuk e kishin vënë ujin në zjarr. E bëra publike dhe e njoftova publikisht, jo vetëm zotit Gogu, por dhe anëtarëve.

Ne kishim kërkuar informacion nga institucionet zyrtare të këtij shteti, sipas kërkesave që unë kam thënë se ka të drejtë çdo anëtar i komisionit ka të drejtë të shtojë dhe propozojë kërkesa të cilat këto miratohen pa votim. Kishim lënë dhe afatin për të kthyer përgjigje, duke pasur parasysh edhe afatin maksimal të këtij komisioni, siç ju e dini është vetëm tre mujor. Afati i lënë institucioneve ishte pesë ditor, madje këto institucioneve u ishte lënë edhe një ditë tepërt. Siç e pamë të gjithë, atë ditë, vetëm një përgjigje kishte ardhur nga Partia Demokratike e Shqipërisë në bazë të pyetjeve që ju z.Gogu keni bërë. Asnjë institucion shtetëror nuk kishte kthyer përgjigje.

Salianji: Pavarësisht përkatësive partiake, interesi i komisionit dhe interesi i publikut është që të ketë konkluzionet e plota të hetimit të këtij komisioni për të gjitha shpërdorimet eventuale që administrata publike dhe gjithë struktura shtetërore sipas pretendimeve ka shpërdorur apo jo në zgjedhjet. Administrata publike dhe të gjithë institucionet pa dallim, të bëjmë të pamundurën që të sjellin në kohë të shpejtë përgjigjet, pasi kjo nuk varet nga pamundësia e tyre, por nga ajo se çfarë thotë ligji. Ligji i detyron që të sjellë përgjigjen në kohë. kërcënimi që thoni ju që bën komisioni hetimor nuk është kërcënim, por shkelja potenciale e ligjit duhet të jetë frika e përhershme e e drejtuesve të institucioneve. Kjo është një vepër penale nëse nuk e kryen detyrën ashtu siç e përcakton ligji. Kërkesa e stome e ardhur është një kleçkë tjetër, proceduriale për ta shtyrë hetimin dhe për të vonuar punën e tij.

Gogu: Dua të marr fjalën që më jep ligji.

Alibeaj: Z.Gogu nuk jua kam dhënë fjalën. Do ta marrësh atë kur ta jap unë. Në zbatim të rregullores ua kam dhënë fjalën më shumë se njëherë. Kjo është e pakuptimtë.

Gogu: Ju keni shkelur ligjin. Ky komision është në kushtet e paligjshmërisë. Ju lutem z.Kryetar. Kam bërë një kërkesë në zbatim të ligjit për komisionet hetimore. Kam bërë një kërkesë sipas procedurës. Iu është mohuar e drejta anëtarëve të këtij komisioni. Gjithmonë kur kryetari tundohet nga sirenat e partitshmërisë të shkelë ligjin.

Alibeaj: Ke bërë një kërkesë për pengesë. Më vjen mirë se këtu paska një skenar për të prishur ecurinë e këtij komisioni. Unë nuk e kuptoj këtë irritimin tuaj. Unë reflektoj që tani. Ju thoni se çdo shkresë që kryetari i këtij komisioni, duhet t’i lutet dhe t’i përgjërohet sekretarit të komisionit. Ju e dini se kryetari i komisionit i përket palës që ka kërkuar hetimin, zv.kryetari për shkak të forcës së kartonave i përket shumicës. Është fare e qartë se ky është një çengel, me anë të të cilit, kërkoni të vendosni një pengesë, që shkresat e këtij komisioni të ngelen në syrtarët e sekretarisë dhe që s’e shohin dot dritën e diellit. Ne do bëjmë kërkesa për të sjellë dëshmitar. Ju kërkoni që ne mos të dërgojmë dot shkresën. Kjo që po bëni, nuk është asgjë tjetër, veçse rikthimi edhe njëherë i debatit pa bukë dhe pa asgjë. Pse e bëmë ne atë debat. Ishte ajo që çdo anëtar kishte të drejtën për të marrë informacion. Po shikoj se hetimi është futur në rrugë të mbarë se si hetimit ti vendosim pengesa. T’ia kursejmë këtë opinionit publik. Për sa i përket aktit të pahijshëm të marrjes me dhunë të fjalës dhe ta hedhim në votim. Kjo është mënyra e fundit që e përsëris, kërkesa, rregullore dhe amendamente që kanë për qëllim të pengojnë të drejtën për të hetuar të çdo deputeti nuk kanë për t’u miratuar. Andaj kjo kërkesë nuk do të miratohet.

Koçi: Po shpërdoroni detyrën si kryetar i komisionit. Ju nuk jeni lektor i komisionit. S’mund të bëni këtu leksione, se je modeli i leksionit të keq.

Alibeaj: Unë po ju njoftoj se çdo kërkesë, shkresë t’ia njoftojmë të gjithëve. Të jetë një praktikë që mund të zbatojmë edhe në të ardhmen. Kjo është e thjeshtë. Çdo shkresë apo kërkesë, drejtuar institucioneve, ta bëjmë publike.

Gjylameti: Unë besoj se kjo skenë është shumë e vogël për ju. Për shkak të kapacitetit që keni kjo sallë është krejtësisht e vogël, për shkak të aftësive që keni ju duhet të ishit në skena shumë më të mëdha, madje në ato botërore. Jeni i paarritshëm për çdo gjë. Kontradiktor nga fjalia e parë tek e fundit. Keni një lloj pasioni, mbi të gjitha, mbi të gjitha një lloj kapaciteti që nuk mund të shpërdorohet në këtë. Unë e kuptoj se frymëzimi juaj duhet të ishte tek foltorja, pasi kjo është një skenë e vogël. Niveli juaj i aktrimit është për skena botërore. 37 minuta folët kot. Dy fjali i përsëritet pa fund. Monolog i paparë për skenat botërore të aktrimit, që skenën e foltorës që ta merrnit këtu. Nuk mund t’jua mohojmë të drejtën që të vazhdoni në monologun tuaj. Ju përsërisni, përsërisni të njëjtat gjëra. Mos doni nga institucionet një telegram me tre rreshta për të vazhduar me aktrimin tuaj. Këtë kam menduar. Ju vazhdoni të harxhoni kohë me thirrjen që ne mos t’ju pengojmë. Unë vazhdoj me këtë që kolegët socialist të jenë shumë bujar me ju, pasi t’mos u pengojnë, pasi nivelin e aktrimit e keni për skena botërore. Ju jo vetëm keni vijuar të shkelni ligjin, por vazhdoni të shkelni ligjin duke vazhduar edhe këtu, duke treguar se do donit të ishte dhe jo si është. Shkel ligjin me të dyja këmbët dhe thërret se kush e shkel. Farsa duhet në një moment të ketë fund. Pastaj do e mblidhni mendjen dhe do të kuptoni se mbaron kjo kohë. Në asnjë moment nuk u vjen një moment të uleni dhe të reflektoni se pse keni humbur, duke mos gjetur arsyen se pse keni humbur.

Alibeaj: Faleminderit znj.Gjylameti. E dëgjuam pa e ndërprerë znj.Gjylameti. Unë shpresova që pas fjalës me plot muzë poetike, këtu duhet të kishte rënë dëshira për të punuar. Këtu jemi për të punuar dhe jo për të harxhuar kohë. Kjo është puna.  Do vazhdojmë të punojmë për të hetuar, për të marrë të dhëna dhe për të bërë kërkesa. Ky diskutim lindi për shkak të një kërkese jashtë rregullores. Ne kemi bërë kërkesa dhe kanë ardhur të dhënat e para. Ky është hetimi, edhe pse do të hajë ohë. Unë e mbështes fjalën e Gjylametit, ne duhet të punojmë.

Kollçaku: Ne ramë dakord për këtë rregullore që kemi. Por ramë dakord për ta zbatuar. Të gjitha këto pika që nuk gjejnë zbatim në këtë rregullore, ne ramë dakord që të zbatohet rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë. Fjala për procedurë i jepet menjëherë. Ju kishit frikë se shkresat mos të vonoheshin, por ende nuk është vonuar asnjë shkresë apo procedurë. Pse e zgjodhëm ne sekretarin e komisionit. Cila është frika juaj. Ne jemi këtu. Ju pse e thyeni rregulloren. Z.Kryetar nëse nuk zbatoni kërkesat e këtij komisioni, ky është një standard i dyfishtë dhe ju po sabotoni veprimtarinë e këtij komisioni.

Alibeaj: Frika e ime e vetme është frika nga ligji. Ky është shembulli që do duhet ta përhapim edhe për publikun. Fjala është për të pasur respekt për ligjin. Ju thatë me të drejtë se një pjesë e përgjigjeve kanë ardhur. Por e dini pse ka ndodhur kjo, se kam qenë strikt i respektimit të ligjit. Për këtë arsye unë jam dakord me parashtresën tuaj se deri tani gjërat kanë ecur mirë edhe në sajë të këtij zbatimi të ligjit, por edhe për shkak të kërcënimit. Në një shtet të së drejtës kush shkel ligjin, duhet të vihet përpara drejtësisë. Kush e shkel ligjin, institucionet e drejtësisë duhet të vihen një orë e më parë për ta sjellë ligjin në shinat e veta.

Xhoxhi: Unë besoj se procedurat duhet të respektohen. Ne kemi ardhur këtu për të kryer një hetim, i cili është thelbi kryesor i këtij komisioni. Së dyti, do të kërkoja që historinë e shkresës së PD të ardhur në afat, të lutem mos e përmend më. Shkresa e PD është protokolluar vetëm dy ditë më mbrapa. Të paktën të jemi korrekt në zbatimin e ligjit.

Alibeaj: Ju lutem kolegë. Ne nuk kemi kaluar ende në shqyrtimin e dokumenteve. Shembujt e mirë madje do duhet t’i bëjmë publike, fjala është për institucionet publike. Ta kthejnë me telegram, me telegram, me pëllumb, me pëllumb. Por të kthejnë përgjigje. Ju lutem mos e kaloni në nivel tjetër punën e këtij komisioni. T’i kursejmë ndaj gjithsecilit ato që mund të thuhen dhe keqkuptohen.

Kryetari i Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e 25 prillit, Enkelejd Alibeaj, zbardhi listën me 41 institucione të qeverisjes qendrore dhe lokale, që nuk kanë kthyer akoma përgjigjet për kërkesat e komisionit për hetim. Institucionet janë që nga Ministria e Brendshme apo e Rindërtimit deri tek Bashkia e Tiranës dhe 27 bashki të tjera.

 Intitucionet:

1.      Drejtoria e përgjithshme e arsimit prauniversitar, nuk ka kthyer përgjigje.
2.      Inspektorati i mbikqyrjeses se tregut, nuk ka kthyer përgjigje.
3.      Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, nuk ka kthyer përgjigje.
4.      Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial, nuk ka kthyer përgjigje.
5.      Këshilli Kombëtar i Territorit, nuk ka kthyer përgjigje.
6.      Minisitria e Brendshme
7.      Minisrtia e Arsimit
8.      Ministria e Drejtësië
9.      Ministria e Mbrojtjes
10.  Ministria e Kulturës
11.  Ministria e Turizmit
12.  Shërbimi Informativ Shtetëror
13.  Drejtoria e Policisë së Shtetit

Bashkitë të cilat nuk kanë kthyer përgjigje:

  1. Berat
  2. Kuçovë
  3. Diber
  4. Kruje
  5. Cerrik
  6. Patos
  7. Lushnjë
  8. Divjakë
  9. Libohovë
  10. Tepelenë
  11. Këlcyrë
  12. Shkodër
  13. Dropull
  14. Korçë
  15. Maliq
  16. Pustec
  17. Tropojë
  18. Lezhë
  19. Mirditë
  20. Vau i Dejës
  21. Pukë
  22. Tiranë
  23. Kamëz
  24. Vorë
  25. Konispol
  26. Durrës
  27. Krujë
  28. Mirditë

Afati për dorëzimin është deri sot në mbylljen e orarit zyrtar. Nëse deri atëherë nuk do të ketë përgjigje, Kryetari i Komisionit Alibeaj dekalaroi se të gjithë do të ndiqen penalisht për shkelje detyre, një masë që e parashikon ligji për komisionet hetimore.

Nëse në orën 16.00 të ditës së sotme pas kontrollit që sekretaria do të bëjë në protokollin e Kuvendit do të rezultojë që ka ende përgjigje të paardhura, do të konsiderohet që ky detyrim ligjor ndaj Kuvendit të Republikës, nuk është përmbushur dhe duke qenë i tillë së paku të reagojmë për të paraqitur kallzim penal për shpërdorim detyre ndaj këtyre institucioneve që nuk i janë përgjigjur këtij detyrimi ligjor“, tha Kryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, Enkelejd Alibeaj.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA