Zjarri përfshiu banesën/ Çifti i të moshuarve gjen vdekjen. Tentuan te dilnin, por u asfiksuan pranë derës kryesore (DETAJE)

16/11/2021 21:19

Zjarri masiv që përfshiu një banesë në fshatin Hllumo, pjesë e bashkisë Dropull i ka marrë jetën një çifti të moshuarish, të cilët kanë mbetur të asfiksuar brenda saj.

Top Channel mëson se viktimat janë çifti Irakli dhe Fotini Panajoti të moshës 87 dhe 83 vjeç. Paraprakisht dyshohet se shkak për zjarrin në banesën e tyre në fshatin Hllomo të Dropullit është bërë oxhaku i shtëpisë, pasi fshati kishte disa ditë pa energji elektrike.

Të moshuarit ishin përpjekur të dilnin nga banesa, por dyshohet janë asfiksuar nga tymi shumë pranë derës kryesore. Banesa kishte rreth 10 m3 dru të thatë që i përdornin për oxhakun brenda saj çka ka favorizuar zjarrin.

Fshati Hllomo gjendet në skajet e qarkut të Gjirokastrës në një zonë të thellë malore pranë kufirit me Greqinë dhe forcat zjarrfikëse e policia kanë arritur atje rreth 2 orë pas marrjes së njoftimit për shkak të terrenit të vështirë.

Sipas kreut të zjarrfikëseve të Dropullit, Alqi Kosta aktualisht janë duke u vënë nën kontroll flakët që kanë djegur rreth 50% të banesës. Fqinjët nuk kanë mundur t’i ndihmojnë të moshuarit, pasi zjarri ka qenë masiv dhe i menjëhershëm.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe policia, e cila njofton se: “Më datë 16.11.2021, rreth orës 19:20, në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në fshatin Hllomo, Dropull, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit I. P. Si pasojë e zjarrit dyshohet se kanë humbur jetën dy shtetasit e moshuar, shtetasi I. P. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja F. P., të cilët ndodheshin në banesë. Shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje, grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA