Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një konferencë për shtyp ka bërë publike dy raste të abuzimit me pronat, të denoncuar nga qytetarë.
Rasti i parë, tha ministri ka të bëjë me njësinë administrative ISHEM, Durrës , ku është legalizuar një vend brenda një kopshti publik.
“Ndërtimi pa leje është bërë direkt mbi kopshtin, është shtuar një kat, aty ku mësojnë fëmijët e kësaj njësie. Legalizimi është bërë në mënyrë abuzime, zyrtarët që do të denoncohen sot në SPAK e kanë marrë legalizimin për privatin. Kemi dërguar në prokurori 6 persona, punonjës aktual e jo vetëm . Me veprimet e tyre shpërdoruan detyrën në mënyrë flagrante”, tha Manja.
Ndërsa rasti i dytë i përket drejtorisë rurale 2.
“Në kartelën manuale të pasurive, prona rezulton shtet, ndërsa rezulton në emër të një qytetari i cili nuk ka bërë kërkesë. Në listën e trojeve, kjo pasuri një herë është në emër të një qytetari, një herë shtet, një herë në emër të një qytetari tjetër. Janë kryer veprime për sekuestrimin e tokës. Të gjitha këto janë kryer nga një person i vetëm. I njëjti person që ka kryer të njëjtat gjëra për të regjitruar pronat. Këto raste janë të parat për të cilat njësia antikorrupsion ka përfunduar hetimet, janë firmosur kallëzime. Për rastin e Ishëm, ka të bëjë me faktin se është në zonë bregdetare”, tha ministri më tej.
Manja tha se nga e marta deri më tani janë marrë me qindra denoncime ne njësinë antikorrupsion , ndërsa u bëri thirrje punonjësve të ndershëm të kadastrave të mos bien pre e presioneve të kolegëve të tyre, që siç tha ai tani i kanë të hapura hesapet me drejtësinë
“Nga e marta deri sot pranë kadastrës kanë 128 denoncime për abuzime, dhe në tërësi nga e marta dhe sot janë 138 denoncime, ku kadastra zë peshën kryesore. Ka denoncime për tjetërsime prone dhe regjistrime fiktive. Bëj thirrje edhe noterët se ky është një zinxhiri i tërë , nuk veprohet vetëm.
U bëj thirrje punonjësve të ndershëm të Kadastrave, mos bini pre e presionit të kolegëve që i kanë hesapet hapur, mos lejoni të fusin duart asnjë nga kolegët tuaj, respektoni ligjin për qarkullimin e materialeve, mos lejoni që dosjet të jenë objekt i këtyre nëpunësve që i kanë hesapet hapur me njësinë antikorrupsion. Këto janë raste për të cilat ne kemi sugjeruar marrjen e masave. Nëpunësit duhet ta kuptojnë që nuk të bëjnë ata pronarë , aty thjesht regjistrohen pronat e shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”, tha ministri.
Ndërsa i pyetur për atë se çfarë po ndodh me kadastrën e Vlorës, Manja tha:
“Jemi në ndihmë të strukturave të hetimit, në Kadastrën e Vlorës do kemi rastet e para të hetimit, kemi marrë denoncime, antikorrupsioni do jetë edhe në zyrat e Vlorës. Bashkëpunimi me prokurorinë është në funksion të një qëllimi, ndëshkimit të çdo zyrtari publik që ka kryer shërbimin publik për interesa personale.
Ky është qëllimi ynë për Ministrinë e Drejtësisë. Ndëshkimi janë masa parandaluese, ka një plan konkret për menaxhimin e kadastrës, zbatimi i ligjit 20/20, është në fuqi, ka parashikuar të gjitha çështjet e pronësisë. Hapi i parë është digjitalizmi i të gjithë sistemit kadastral, që ka filluar e përfshirë qeveria, nëpërmjet zyrës së AKSHI-t, agjencia e kadastrës dhe ministria. Digjitalizmi i Kadastrës janë rreth 1. 4 mln dosje që do t’i nënshtrohen digjitalizimit. Hapi i parë për të zbatuar ligjin, procesi do fillojë dhe është thembra e Akilit”, tha Manja.
Top Channel