Holanda e kualifikuar direkt për në “Katar 2022”, Turqia në play off. Ky është verdikti i rezultateve të raundit të fundit kualifikues në Grupin C.
“Portokallinjtë” respektuan pritshmëritë, mposhtën 2-0 Norvegjinë në stadiumin “De Kuip” të Roterdamit falë golit të Bergwijn në minutën e 84-t dhe finalizimit të Depay me kundërsulm në minutën e parë shtesë, duke ruajtur vendin e parë në grup. Nga ana tjetër, Turqia triumfoi 1-2 me përmbysje ndaj Malit të Zi në Podgoricë, duke parakaluar Norvegjinë, e cila zbriti në vendin e tretë me tri pikë më pak se turqit. Fatos Beqiraj realizoi për vendësit që në minutën e katërt, por Akturkoglu dhe Kokcu realizuan golat që përmbysën rezultatin në favor të miqve.
Shkon në play off Ukrainë, që parakalon në ndeshjen e fundit Finalndën. Ukrainasit fituan 0-2 në fushën e Bosnjë Hercegovinës me gola të Zinchenkos dhe Dovbyk, ndërsa finalndezët nuk ia dolën të merrnin qoftë një pikë përballë Francës, që realizoi dy herë me dyshen Benzema-Mbappe.
Në Grupin E gjithçka ishte vendosur, me Belgjikën që shkon në Katar si e para në renditje, ndërsa Uellsi zuri vendin e dytë. Në përplasjen mes tyre të zhvilluar në Cardiff ndanë pikët me një barazim 1-1. Për “Djajtë e Kuq” shënoi Debruyne ndërsa për uellsianët Moore. Ndeshja tjetër e këtij grupi, Çeki-Estoni u mbyll 2-0. Çekët shkojnë në play off nëpërmjet Nations League. Gjithashtu në play off shkon nëpërmjet Nations League edhe Austria.
Top Channel