Rregullatori federal gjerman i energjisë vendosi të ndalojë përkohësisht procesin e miratimit të gazsjellësit rus “Nord Stream 2”, një vendim ky që me të gjithë gjasat do të shkaktojë zemërim të madh në Moskë.
Rusia kërkon që përmes këtij gazsjellësi, të furnizojë Gjermaninë me gaz natyror. Agjencia Federale e Rrjetit gjerman njoftoi se është pezulluar procedura e certifikimit të gazsjellësit punimet e të cilit tashmë kanë përfunduar.
Rregullatori gjerman e argumentoi lëvizjen e tij duke thënë se “certifikimi do të ishte i mundur vetëm nëse do të ishte i organizuar sipas ligjit gjerman”.
Ndërkohë, agjencia pretendon se një degë e krijuar për të administruar pjesën gjermane të gazsjellësit nuk i plotësonte kushtet për të qenë një “operator i pavarur transmetimi”.
Ky vendim vjen në një kohë kur Evropa përballet me një krizë të energjisë dhe rritjen ndjeshëm të çmimit të saj. Ndërkohë, kontinenti i vjetër një të tretën e furnizimeve me gaz e ka nga Rusia, e cila është akuzuar së fundi se po i përdor burimet e saj të energjisë si armë politike.
Kritikët thonë se gazsjellësi do të rrisë varësinë energjetike të BE-së nga Rusia dhe do ti kërkojë Moskës mundësinë që të anashkalojë Ukrainën, duke e privuar nga miliarda dollarët që përfiton në vit si tarifa transiti.
Top Channel