Opozita iraniane përkujton martirët/ Ceremonia në kampin “Ashraf 3” në Durrës

15/11/2021 16:07

Ashraf 3, streha kryesore e opozitës iraniane në mërgim, ka përkujtuar martirët e rënë në luftën për liri dhe dëshmuar rrugëtimin e saj historik përmes rindërtimit të historisë në kujtime dhe dëshmi rrënqethëse mbi ekzekutimet në burgjet iraniane dhe mbijetesën në to.

Në 2-vjetorin e kryengritjes në Iran, në Ashraf 3, në Manëz të Durrësit, pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për masakrën e vitit 1988 dhe kryengritjen e nëntorit 2019. Anëtarët e MEK dhe liderja e tyre Maryam Rajavi bën homazhe në kujtim të martirëve. Kobra Xhokar, një infermiere iraniane priste të bëhej nënë, kur u arrestua vetëm pse ishte përkrahëse e muxhahedinëve.

Ajo jeton në kampin Ashraf 3 të muxhahedinëve në Shqipëri bashkë me Amirin, që ishte vetëm 2 vjecc kur përfundoi në burg , pas ekzekutimit të familjes së tij.

Kobra Jokar & Amir Seyed: “Isha 6-muajsh kur regjimi na nxorri nga shtëpia. 5 anëtarë të familjes sime, edhe mamaja ime, u masakruan. Babai im u vra më pas në Irak. Përfundova në burg kur nuk kuptoja asgjë dhe kërkoj drejtësi.”

“Quhem Kobra dhe kam qenë në burg 6 vjet se simpatizoja MEK. Im bir lindi atje dhe më pas për shkak të kushteve në burg është përballur me probleme të shumta shëndetësore. Në burg takova dhe Amirin. Ishte vetëm 2 vjecc. E pashë kur dilja nga dhoma e torturave dhe ai ishte i pangrënë prej ditësh. U bëra nënë dhe për të.”

Në Ashraf3 është rindërtuar një pjesë e historisë së muxhahedinëve. Ajo dëshmon mbi “korridoret e vdekjes” në burgje, “komitetin e vdekjes” dhe dhomat e torturës dhe ekzekutimeve. Është ndërtuar edhe një model i varrezave Khavaran në Teheran, ku mijëra të burgosur politikë të vrarë janë varrosur në varre pa emër, që u zbuluan rastësisht nga një kompani ndërtimi.

Moxhtaba është një tjetër i mbijetuar i burgjeve iraniane, që në vitin 1988 u kthyen në vendin e masakrës për 30 mijë persona, varret e shumë prej të cilëve kanë mbetur të panjohura edhe sot e kësaj dite.
Mojtaba Akngar, i mbijetuar: “Na torturonin në dhoma gazi. Na mbanin 2-3 orë aty derisa asfiksoheshim. Disa mbijetuan. Shumë te tjerë nuk ia dolën. Në burgun tim ishte dhe Hamid Noury, që sot po përballet me drejtësinë. ”

Aktualisht, në gjykatën e Durrësit është zhvendosur gjykata e Stokholmit që vijon të marrë dëshmitë e të mbijetuarve të masakrës, që do të përdoren si prova në gjyqin suedez që ka nisur ndaj Hamid Noury, i akuzuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Dëshmitari i parë Mohammad Zand tregon arsyen e përlotjes pasi doli nga gjykata.

Mohammad Zand, dëshmitar gjykate: “Nuk i mbajta dot lotët, kur pashë të gjithë ata njerëz përreth gjykatës, që ishin aty për të na mbështetur. Mirënjohës shqiptarëve për ccdo gjë. Faleminderit nga zemra!”

Liderja e opozitës iraniane Maryam Rajavi u shpreh se muxhahedinët dhe përpjekja për liri e drejtësi nuk do të ndalet kurrë.

Maryam Rajavi: ”Përkujtojmë përvjetorin e dytë të kryengritjeve kundër regjimit diktatorial. Flaka e nëntorit 2019 nuk do të shuhet kurrë. Të bëhet drejtësi për masakrën e 1988-s. Muxhahedinët kurrë nuk do të dorëzohen. Ju keni mbajtur gjallë kujtimin e martirëve dhe do të vazhdojmë të përpiqemi derisa autorët e masakrave të ndiqen penalisht dhe Irani të kthehet në liri.”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta