Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka bërë me dije se ka ftuar edhe kolegët që mendojnë ndryshe për të marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë të ditës së sotme, por refuzuan.

Sipas Bardhit, i ftoi të paraqesin shtesa ose ndryshim në rendin e ditës të Kuvendit Kombëtar që do të mbahet më 18 Dhjetor në orën 11:00. Në fjalën e tij para mediave, ka ironizuar edhe mbledhjen e 4200 firmave nga “Foltorja” e Berishës për mbajtjen e Kuvendit më 11 dhjetor duke thënë se duhet të ishin protokolluar, jo të mbaheshin në kasafortën e Palokës.

Bardhi: I ftova kolegët që mendojnë ndryshe nga unë në mbledhjen e kryesisë të propozonin shtesë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar të PD të datës 18. Është refuzuar, nuk kanë pranuar të paraqesin asnjë ndryshim në shtesa apo rendin e ditës. Të jeni të sigurt që nëse secili prej tyre do të propozonte shtesën e një pike të caktuar apo çështje të caktuar në rendin e ditës, unë si sekretar i përgjithshëm do votoja pro.

Qëllimi nuk është mbledhja e Kuvendit Kombëtar sepse nuk ka 4200 firma të anëtarëve. Nëse do të kishte, do të ishin protokolluar këtu e një javë përpara. Mbajtja në kasafortë nuk nënkupton që marrin statusin e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Kuvendi Kombëtar mblidhet më 18 dhjetor. Aty do të paraqiten anëtarët, qoftë 10, 20, 200 apo 1000 të kenë firmosur për 11 Dhjetorin, do jenë të pranishëm në Kuvendin Kombëtar të partisë të miratuar më 18.

 I kam ftuar që të depozitonin kërkesën që të kishim mundësi ta mblidhnim kuvendin dhe me datën 11, i kanë mbyllur firmat në kasafortën personale të Palokës. Në këtë moment që kryesia e partisë cakton mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, thonë nuk duam kuvend kombëtar. Sot i është thënë kryesisë që interesi nuk është dëgjimi i zërit të demokratëve, të anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, por të bëjmë rrëmujë, të krijomë struktura paralele, të shpallim ilegjitime struktura që janë legjitime me votë edhe të Sali Berishës, thjesht dhe vetëm për të krijuar një situatë që na çfokuson në betejën kundër regjimit të Edi Ramës.

Top Channel