Fitore tenistike e Turqisë, Norvegjia bllokohet në Oslo. Finlanda fundos Bosnjen

14/11/2021 00:44

Fitojnë Turqia dhe Finlanda, ndërsa Norvegjia nuk shkon më shumë se barazimi pa gola përballë Letoninë, sfida të vlefshme për kualifikueset e Katar 2022. 6-0 triumfoi Turqia në Stamboll kundër modestëve të Gjibraltarit. Akturkoglu dhe Dervisoglu (2x) shënuan në pjesën e parë, teksa në fraksionin e dytë erdhën rrjetat e Demiral, Dursun dhe Muldur.

Ekipi mik luajti me një lojtar më pak prej mesit të pjesës së parë pas daljes me të kuq të Olivero. Suksesi i sotëm ka ngjitur Turqinë në vend të dytë të grupit G me 18 pikë, po aq sa numëron Norvegjia dhe një pikë më pak se kryesuesit e Holandës, që do të përballen me Malin e Zi në Podgoricë.

Norvegjia nuk ia doli të thyejë Letoninë në Olso. Mungesa e Erling Haaland u ndje shumë, teksa Norvegjia u frenua përballë mbrojtjes së ngjeshur mike. Vendasit nuk kishin as fat, Mohamed Elyounoussi gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 80-të, por VAR-i ndali festën e shokut të Armando Brojës te Southampton.

Finlanda fitoi 1-3 në transfertë kundër Bosnjes. Pukki (25’) humbi një penallti në pjesën e parë, teksa vikingët mbetën me dhjetë lojtarë në minutën e 37-të pas daljes me të kuq të Raitala.

Pavarësisht inferioritetit numerik, Finlanda shënoi tri herë me anë të Forss, Lod dhe O’Shaughnessy. Pa vlera realizimi i Menalo për vendasit. Fitorja e sotme ka ngjitur Finlandën në vend të dytë të grupit D me 11 pikë, një më pak se Franca dhe dy pikë më shumë se Ukraina e vendit të tretë.

Top Channel