Pas Daniele De Rossit, edhe Francesco Totti mbështet José Mourinhon. Ish-kapiteni i Romës foli për “Sky” rreth “Special One”, ndaj të cilit kanë nisur të flasim me dyshime, duke iu referuar rezultateve të fundit të verdhekuqve:
“Nëse mendojmë se problemi i Romës është Mourinho, kjo do të thotë se po bëjmë një gabim të madh. Mourinho ka fituar më shumë se të gjithë trajnerët e Serisë A së bashku. T’i heqim kapelën, është një trajner dhe një motivues i madh: di të menaxhojë grupin, di çfarë të thotë dhe çfarë të bëjë, gjithmonë fokusohem tek ai. Klubi dhe tifozët duhet të jenë pranë tij.”
Totti u pyet edhe për përfaqësuesen italiane, e cila nuk arriti të mbyllte kualifikimin ndaj Zvicrës, duke shpërdoruar një 11-metërsh në minutën e 90-të.
“Presioni ndihet, sepse nuk është e lehtë të marrë një përgjegjësi të tillë në fund të lojës. Gjithmonë më kanë etiketuar si dikush që ka shënuar më shumë gola me penallti, por nuk është e lehtë t’i shënosh. Është çështje mentaliteti, kur humb dy-tri penallti radhazi, frikësohesh pak. Po flasim për kampionë që dinë t’i kalojnë vështirësitë. Jorginho kur e sheh duke luajtur, të mbush me gëzim.”
Totti është i bindur se Italia do të shkojë në Botëror.
“Duke qenë kampionë të Europës, pritshmëritë janë shumë të mëdha, po flasim për lojtarë të mëdhenj. Ne do të shkojmë në këtë Botëror të bekuar për të lënë shenjë”.
Top Channel