Ekspozita e 3200 artistëve/ Veprat e artistëve nga e gjithë bota ekspozohen në kryeministri

13/11/2021 01:42

Në mjediset e COD në Kryeministri, u çel ekspozita me veprat origjinale të ekspozuara për herë të parë në Tiranë, të 3200 artistëve nga e gjithë bota, pjesë e koleksionit “Imago Mundi”.

Kjo është një ekspozitë krejt origjinale në mënyrën se si është konceptuar dhe ka marrë formë në hapësirën e dedikuar për të.

Projekti “Imago Mundi”, i Fondacionit Benetton, është një projekt global që synon krijimin e një gjeografie artistike të veçantë në llojin e saj, duke sjellë koleksionin pranë sa më shumë njerëzve, përmes ekspozitave, katalogjeve dhe internetit e duke inkurajuar një dialog të sinqertë me artin dhe me botën.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në çeljen e ekspozitës falenderoi ideatorët, organizatorët dhe të gjithë ata që mundësuan bashkimin e veprave artistike nga të katër anët e globit.

“Thjesht dua të falënderoj ata që e bënë të mundur këtë ekspozitë, që nga djemtë që e kuruan me shumë këmbëngulje sepse siç sapo u tha, të gjitha këto vepra vijnë nga gjithë cepat e botës dhe është dashur një këmbëngulje e madhe për t’i sjellë të gjitha bashkë në këtë rreth, duke u kërkuar mijëra artistëve që të japin kontributin e tyre, në atë kuadratin e vogël e duke mundësuar pastaj që pikërisht në një moment të histories së njerëzimit, kur njerëzimi u detyrua të izolohej nëpër shtëpi, nëpër qytete, nëpër shtete të ndryshme që ndërprenë plotësisht komunikimin, kjo ekspozitë të marrë jetë si një varg i pambarimtë pëshpërimash nga të gjitha anët e globit”- tha Rama.

Top Channel