Do të ishte “e paimagjinueshme” që Australia të mos bashkohet me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni do të ndërmerrte veprime për të mbrojtur Tajvanin, deklaroi ministri australian i Mbrojtjes Peter Dutton.
Pak ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do të ndërmarrin “veprime” nëse Kina përdor forcën për të ndryshuar status quo-në mbi Tajvanin. Dutton e bëri të qartë se vendi i tij do të qëndrojë në krah të aleatit të vet të madh.
“Nëse Shtetet e bashkuara e hedhin atë hap, ne do t`i mbështesim. Mendoj se duhet të jemi të sinqertë dhe të shikojmë të gjitha faktet, të gjitha rrethanat”, u shpreh ai.
Ushtria kineze nisi patrullimet ushtarake në drejtim të ngushticës së Tajvanit, pasi në ishull mbërriti një delegacion i Kongresit amerikan, lëvizje kjo që e acaroi së tepërmi Pekinin.
“Kina e ka bërë shumë të qartë qëllimin e saj për të marrë Tajvanin dhe ne duhet të sigurohemi që do të kemi një nivel të lartë gatishmërie dhe përgatitjeje, i cili do të vendoste vendin tonë në një pozicion më të fortë”, u shpreh Dutton.
Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ndaj ishullit që e sheh si provincë të shkëputur të tijën, megjithatë nuk ka dhënë shenja se lufta do të jetë e afërt, edhe pse kjo mund të jetë pjesë e strategjisë së tij…
Top Channel