Mbi 2000 vjet më parë, Hipokrati, i njohur si Ati i Mjekësisë, paralajmëroi se stomaku përbën zanafillën e të gjitha sëmundjeve. Shëndeti i stomakut dhe i të gjithë sistemit tretës në përgjithësi ndodh të anashkalohet. Ndonëse ky sistem përmban dhjetëfishin e baktereve të rëndësishme në krahasim me çdo pjesë tjetër të trupit. Këto baktere, na mbrojnë nga infeksionet, mbështesin metabolizmin dhe përmirësojnë tretjen.
Për fat të keq, pjesa më e madhe e popullësisë në Shqipëri dhe në Botë ushqehet keq dhe si pasojë vuan nga mungesa e baktereve të mira në stomak. Ekuilibrat e baktereve në stomak ndikohen jo vetëm nga ushqyerja e keqe, por edhe nga stresi, toksinat dhe përdorimi i tepruar i antibiotikëve.
Rreziku i Sëmundjeve Dhe Shëndeti i Stomakut
Studime të ndryshme, të cilave u referohet AgroWeb.org, konfirmojnë se një pjesë e madhe e sëmundjeve shfaqen si pasojë e inflamacionit kronik në stomak. Ajo që ndodh është se në shumë raste, baktere të këqija të njohura si endotoksina lëshohen në gjak. Sistemi imunitar i identifikon ato si të huaja dhe i sulmon duke shkaktuar kështu një inflamacion kronik.
Inflamacioni mund të nxitet edhe nga ushqyerja dhe mund të përhapet aq shumë sa të shkaktojë rezistencë ndaj insulinës që më pas pasohet nga diabeti i tipit 2 dhe obeziteti. Një regjim ushqimor jo i shëndetshëm ndikon fort në rritjen e nivelit të endotoksinave duke nxitur kështu inflamacionin. Ushqimet e fermentuara si turshitë apo kosi dhe kefiri janë shumë të pasura me probiotikë dhe i bëjnë mirë stomakut.
Ndikimi i Inflamacionit Kronik
Inflamacioni është një reagim i imunitetit ndaj toksinave ose lëndëve të huaja në trup. Qëllimi i tij është që të ndihmojë trupin të eliminojë këto substanca të huaja dhe të riparojë dëmin e kryer. Inflamacioni kronik ose sistemik është i dëmshëm sepse trupi sulmon veten. Inflamacioni mund të prekë enët e gjakut dhe më pas trurin.
Inflamacioni kronik, shkakatari i saktë i të cilit nuk dihet akoma, besohet të jetë një nga shkaktarët e shumë sëmundjeve. Bëhet fjalë për sëmundjet e zemrës, sindroma metabolike, Alzheimeri, depresioni e të tjerë. Mënyra më e mirë për mirëmbajtjen e shëndetit të stomakut është të ushqeheni shëndetshëm, të flini mirë e të kryeni shumë aktivitet fizik./AgroWeb
Top Channel