Fidel Ylli: Në mars 2022, Shqipëria do të ketë Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv! KOKSH e do, FSHF jo

12/11/2021 18:15

Shqipëria nuk ka ende një Gjykatë  Arbitrazhit për Sportin, pavarësisht se ligji e parashikon funksionimin e saj.

Për këtë temë, kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli foli këtë të premte në emisionin “Top Talk”.

Sipas tij, kundërshtimet dhe rezervat e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë penguar dhe vonuar ngritjen e KAS-it.

Sa po formatohej KAS-i, del Federata e Futbollit dhe thotë pse e keni bërë me 7 veta. Ne e duam me 9. (flet për periudhën, kur vetë Ylli ishte deputet në kuvend). Dhe ne bëmë ndryshimin, që KAS-i do t’i jepet kompetencë Asamblesë së Komitetit Olimpik që përbëhet nga gjithë shoqata dhe federata, ta bëjnë KAS-in siç e ka Lozana. Por, është bërë një asamble që Presidenti i Federatës e ka çuar në gjyq, edhe në shkallë të parë, edhe në Lozanë. Nëse do të ishte krijuar KAS-i, do të shkonin aty njëherë, pastaj në Lozanë.

Federata e Futbollit historikisht nuk e ka dashur KOKSH-in, problemi është te KAS-i. FSHF nuk e do KAS-in sepse do t’i lodhë të gjithë ata sportistë, gjyqtar, trajner, klube, që duke mos shkuar dot në KAS-in këtu, do t’i dërgojë në KAS-in në Lozanë”.

Megjithatë, Ylli thotë se puna për krijimin e KAS-it po vazhdon dhe do të jetë gati pas katër muajsh.

Kemi ngritur grupin e punës, është bërë gati rregullorja dhe shumë shpejt KAS-i do të kalojë në asamblenë e KOKSH-it dhe do të votohet.

KAS-i shqiptar, me ritmet që ne po ecim, do të jetë gati në mars 2022. Ai do të zgjidhë të gjithë ngërçin që kanë sportiostë, klube, federata, pra të zgjidhë çdo mosmarrëveshje”.

Në “Top Talk”, kreu i KOKSH foli dhe për buxhetin që është parashikuar për sportin, që sipas tij është qesharak.

Kur kaloheshin ligje për sportin, të gjithë grupet e interesit ishin në komision. Tani nuk na ka pyetur askush, fare. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Grupet e interesit duhet të ishin përballë deputetëve për të dhënë argumentet e tyre”.

Ai thotë se nuk mund të presim medalje nga sportistët, kur ata nuk kanë kushte për t’u stërvitur, sepse mungojnë fondet.

Dhe sot pata një takim me boksierët. Por ata kërkojnë buxhete se duan të shkojnë të stërviten në Ukrainë, në Rusi, Kazakistan, që të marrin medalje në lojërat olimpike.

Se themi shkuat në olimpiadë, nuk morët medalje. Po si të marrim medalje me këto buxhete mjerane. Kur nuk kanë mundësi sportistët të stërviten, ku nuk ka as pista. Nëse do sportist elitar, duhen buxhete elitare. Nëse do ta lësh sportin amator, ta dimë dhe ne”, shprehet Ylli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA