Vlorë/ Dy të arrestuar dhe dy të proceduar, mes tyre 24-vjeçari që plagosi me sende të forta tre persona

11/11/2021 13:23

Dy persona janë arrestuar dhe dy janë proceduar penalisht nga policia e Vlorës, për vepra të ndryshme penale.

Mes të arrestuarve është një 24-vjeçar, i cili ka për motive të dobëta ka goditur me sende të forta tre shtetas.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. J., 24 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende te forta shtetasit Q. K., E. K. dhe R.K”, njofton policia.

Po ashtu është arrestuar edhe një 57-vjeçar, i cili ka aksidentuar me mjetin e tij një 54-vjeçar, i fundit ky që ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë, arrestuan në flagrancë shtetasin Y. Xh., 57 vjeç, banues në Vlorë, pasi ditën e djeshme, në  rrugën “Gjergj Kastrioti”,  ka aksidentuar shtetasin L. M., 54 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, bën me dije policia.

Ndërsa personat e proceduar penalisht janë: “Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Vlorë,  u proceduan penalisht për veprat penale “Punësim i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, shtetasit V. N., 49 vjeç, dhe V. D., 39 vjeç, banues në Vlorë.

Këta shtetas, janë ndaluar për kontroll nga shërbimet e Policisë, në lagjen “24 Maji”, duke transportuar me kamionët e tyre, materiale ndërtimi, për të cilat nuk dispononin faturë tatimore.

Në vijim të veprimeve u bë bllokimi  i 2 kamionëve dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Vlorë dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon hetimi i këtij rasti”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel