Kroaci, arrestohet ish-ministri/ Ministri dhe 3 zyrtarë abuzuan me fondet e BE, me vlerë 2 mil euro

11/11/2021 01:40

Policia kroate arrestoi të mërkurën një ish-ministër dhe tre persona të tjerë të dyshuar për mashtrim në lidhje me ndarjen e fondeve të BE-së.

Të katër këta persona u arrestuan për mashtrim të dyshuar mbi “procedurat e prokurimit publik për blerjen e një sistemi informacioni”.

Shkeljet e supozuara janë kryer në ministrinë e zhvillimit rajonal me fondet e BE, si dhe në Agjencinë Qendrore të Financave që trajton projektet e BE. Agjencia shtetërore e lajmeve HINA në Kroaci tha se arrestimet ishin të lidhura me një projekt të zhvillimit të softuerit me vlerë rreth 2 milionë euro që ministria në vitin 2018 ia ndau një kompanie lokale.

I pyetur për të komentuar arrestimet, kryeministri i Kroacisë tha se ishte i befasuar, por theksoi se organet e drejtësisë “të pavarura” po “bënin punën e tyre”. “Detyra jonë është të luftojmë korrupsionin,” u tha ai gazetarëve.

Beteja kundër korrupsionit ishte thelbësore gjatë përpjekjeve të suksesshme të Kroacisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian në 2013.

Top Channel