Agjencia Evropiane e Barnave miraton një trajtim të ri për Covid-19

11/11/2021 18:43

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka miratuar një trajtim të ri për Covid-19.

Dy ilaçe, një i quajtuar Ronapreve dhe tjetri Regkirona, shihen si premtues nga agjencia referuar strategjisë së BE-së për të luftuar koronavirusin.

Ronapreve u zhvillua nga Regeneron Pharmaceuticals me Roche.

Në tetor të 2020, atëherë kur presidenti Trump u infektua me Covid-19, iu rekomandua përdorimi i këtij ilaçi për shërimin e tij.

Ilaçi ishte licensuar më parë për përdorim të menjëhershëm në më shumë se 20 vende, duke përfshirë SHBA-në, Japoninë dhe Indinë.

Këto dy ilaçe mund të përdoren në fazat e hershme të infeksionit, bazuar edhe në antitrupat monoklonalë antiviralë.

Duke e përshëndetur këtë progres të rëndësishëm edhe në kuadrin e Strategjisë për luftën ndaj Covid-19, Komisionerja për Shendetin dhe Sigurinë Ushqimore Stella Kyriakidou theksoi se me rritjen e infeksioneve Covid-19 në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, duket qetësues fakti kur mësohet se ndaj Covid-19 po përgatitet një kurë mjekësore.

Sot po hedhim një hap të rëndësishëm drejt qëllimit tonë për të miratuar deri në fund të vitit pesë ilaçe të reja kundër Covid-19 në BE”, tha ajo.

Kyriakidou theksoi se vaksinimi mbetet mjeti kryesor i luftës kundër Covid-19.

Bashkimi Evropian ka arritur nivelin më të lartë të vaksinimit të popullsisë në botë, por përsëri numri i personave të infektuar nga Covid-19 mbetet ende në shifra të larta. Si pasojë e kësaj situate nevoja për të pasur ilaçe të sigurta dhe efikase bëhet akoma edhe më urgjente.

Mësohet se EMA është duke vlerësuar gjashtë ilaçe të tjera që mund të miratohen së shpejti, por me kushtin që testet përfundimtare të tyre të tregojnë cilësi, siguri dhe efikasitet në luftën kundër Covid-19.

Top Channel