1,1 miliard USD taksa, Elon Musk shet aksione të Teslas

11/11/2021 12:33

Pas një premtimi të bërë në Twitter, kreu i Teslas, Elon Musk shiti aksione të saj në vlerën e 5 miliardë dollarëve.

1.1 miliardë dollarë prej tyre, Musk do t`i përdorë për të paguar taksat e mbledhura në kohë. Më herët, ai kishte pyetur përmes platformës sociale 63 milionë ndjekësit e tij, nëse duhet t`i shiste 10 për qind të aksioneve të kompanisë.

Rezultati ishte në favor të shitjes. Pas nisjes së kësaj ankete, aksionet pësuan një rënie me 16 për qind,  por të mërkurën u rrit sërish.

Tesla është kompania më e shtrenjtë e prodhimit të makinave në botë, me vlerë deri në 1 trilion dollarë.

Rregullatori për aksione në Shtetet e Bashkuara deklaroi se për një pjesë të mirë të aksioneve veçse ka pasur plan të tregtimit nga muaji shtator, para se Musk të kërkonte mendimin e audiencës në Twitter.

Elon Musk është njeriu më i pasur në botë, me një pasuri personale në vlerë të 280 miliardë dollarëve. Veprimi i tij është përgjigje ndaj taksave për miliarderë, që janë propozuar nga demokratët amerikanë.

Sipas planeve të propozuara nga Partia Demokratike në Senatin amerikan, miliarderët mund të tatohen për “fitimet e parealizuara”, kur çmimi i aksioneve të tyre rritet – edhe nëse ata nuk shesin asnjë nga aksionet e tyre.

Top Channel