Shtetet e Bashkuara përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) sot paralajmëruan ndihmë urgjente Kosovës në vlerë 2.5 milionë dollarë për COVID-19.
Kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19 dhe do të forcojë sistemin shëndetësor në tërësi.
“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjerë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë, që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19,” tha drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.
Kjo ndihmë shtesë, e cila do të implementohet përmes UNICEF-it, ndërton mbi bazën e më shumë se 2.6 milionë dollarë ndihmë për COVID-19 dhuruar Kosovës përmes USAID-it gjatë pandemisë.
Që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19.
Vitin e kaluar, USAID-i shpërndau 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore, 7.750 komplete higjienike për familjet dhe 2,400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme.
Krahas kësaj, Shtetet e Bashkuara dhuruan 50 respiratorë të ri dhe të papërdorur si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online.
Shtetet e Bashkuara dërguan pajisje laboratorike të testimit dhe skanerë termik për vendosje në terminalet hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore.
Së fundi, USAID-i paralajmëroi një partneritet në vlerë prej 1 milion dollarësh amerikan me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen në informim publik në Kosovë lidhur me parandalimin dhe vaksinimin kundër COVID-19, dhe në emër të Qeverisë së SHBA-së lehtësoi shpërndarjen e 538,200 dozave të vaksinës Pfizer.
Qeveria e SHBA-së, përmes USAID-it, ka investuar mbi 10 milionë dollarë në ndihmë shëndetësore Kosovës gjatë 20 vjetëve të kaluara.
Top Channel