NATO gati të nisë trupat në Poloni: Gjithçka për të mbrojtur kufirin!

10/11/2021 14:26

NATO u shpreh e gatshme të ndërhyrjë nëse përshkallëzohet situata në kufirin polak, ku janë dyndur me mijëra emigrantë që kalojnë që Bjellorusia.

“ Nëse do do të jetë e nevojshme, nuk do të ngurrojmë t`i vijmë në ndihmë aleaetëve tanë për të garantuar sigurinë në rajon”, tha një zëdhënësi saj për The Standard. Gati 4 mijë emigrantë besohet të jenë grumbulluar pranë gardhit që ndan dy vendet, ku kanë ngritur tenda e presin momentin për të kaluar në anën tjetër e për të hyrë në BE. Polonia paralajmëroi një përshkallëzim të mundshëm të armatosur në kufirin e saj me Bjellorusinë.

Qeveria polake akuzon Bjellorusinë se po i drejton qëllimisht emigrantët drejt kufirit, si pjesë e një ‘lufte hibride’. Disa prej tyre u përpoqën të çanin gardhin me tela dhe rojat kufitare polake përdorën gazin lotsjellës për t’i shpërndar. Autoritetet polake thanë se janë arrestuar dhjetëra emigrantë.

“Në 24 orët e fundit kemi pasur 309 përpjekje të paligjshme për të kaluar kufirin. Roja Kufitare ka lëshuar 85 urdhra për largim nga territori i Polonisë. Shtatëmbëdhjetë të huaj u arrestuan dhe do t’i nënshtrohen një procedure administrative”, deklaroi zëdhënësja e Rojave Kufitare polake, Katarzyna Zdanoëicz. Emigrantët janë nga Afganistani, Lindja e Mesme dhe Afrika, kryesisht të rinj, por edhe disa gra dhe fëmijë.

Top Channel