4200 formularët e mbledhur janë dorëzuar sot në zyrën e kreu të Këshillit Kombëtar, Edi Palokës në selinë e Partisë Demokratike, për t’u hapur ditën e mbajtjes së kuvendit të jashtëzakonshëm.
Edi Paloka në një komunikim për mediat tha se ai nuk ka firmosur, por do të zbatojë detyrimin ndaj delegatëve të kuvendit.
Ai theksoi se asnjë institucion nuk ka detyrim që të bëjë verifikimin e këtyre formularëve veç kuvendit, ndërsa do të ngrihet një komision i posaçëm për t’i verifikuar në mënyrë që të ruhet mbrojtja e të dhënave personale të të gjithëve .
“Jemi në këtë rast dhe për këtë arsye po zbatojmë detyrimin ndaj delegatëve të kuvendit për të mbledhur kuvendin, firmat janë depozituar në zyrën time, e dëgjuat shpjegimin që dha Berisha për argumentet që dhanë se pse u depozituan në zyrën time, nuk ka detyrim dhe asnjë institucion që të bëjë verifikimin e këtyre formularëve veç kuvendit. Një kërkesë e veçantë është që të ruhet fshehtësia e të dhënave të tyre, një problem që nuk haset për herë të parë, por pak rëndësi ka kjo është e drejtë mbrojtja e të dhënave personale, do qëndrojnë të mbyllur për t’u hapur ditën e kuvendit të jashtëzakonshëm, ku do të bëhet verifikimi i të gjithë mandateve. Unë jam një nga ata që nuk kam firmosur, por jam i detyruar që të zbatoj kërkesën e më shumë se gjysmës së delegatëve që të mblidhet. Do ketë një komision dhe do të ketë të drejtë gjithsecili që të verifikojë”, tha Paloka.
Lideri historik i PD-së, Sali Berisha në konferencën për mediat sot theksoi se nuk synon vetëm të rikthehet në krye të PD-së, por edhe në krye të vendit si kryeministër.
“Ka një kërkesë masive për rikthimin e Sali Berishës për rikthimin e Sali Berishës dhe unë e pranoj si detyrim, por në çdo moment që demokratëve mund të mos u duket e arsyeshme, unë e pranoj vendimin e tyre. Le të dalë Edi Rama në një debat me Sali Berishën. Janë mërzitur njerëzit, ata duan debatin e lirë”, tha Berisha.
Kujtojmë se ambasadorja e SHBA-së në Tiranë në një intervistë për Top Channel tha se Amerika do të ndërpresë marrëdhëniet me Partinë Demokratike, nëse kryesimin e saj e merr ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është shpallur person ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit.
Marrëdhëniet e afërta mes ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e shpalli ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa kreu i PD-së Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.
Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi Berishën, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.
Pas kësaj, Basha e përjashtoi Berishën nga grupi i deputetëve dhe ka theksuar disa herë publikisht se, si kryetar i PD-së, ai nuk do të lejonte që partia të shndërrohej në bunker për interesat personale të ish-kryeministrit Berisha dhe se nuk do të lejonte që Partia Demokratike të mbante Kuvend për vendimet e SHBA-ve.
Gjatë një fjalimi në parlament Basha akuzoi për një bashkëpunim mes presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe ish kryeministrit Berisha, duke i etiketuar si “trekendëshi i Bermudës, brinjët e të cilës do të zbërthehen një nga një”.
Por disa ditë më parë, Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij, kur deklaroi në një tjetër tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin, për thirrjen e të cilit, sipas tij, tashmë ishin mbledhur firmat e delegatëve.
Sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e PD-së zyrtare është kryetari ai që vendos, nëse thirret apo jo, një Kuvend i partisë.
Basha ka kujtuar se ai sapo është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike me një shumicë dërrmuese votash.
Ai ka propozuar në Kuvend një proces vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.
Ish-kryeministri Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i së djathtës në vitin 2013, kur humbi thellë zgjedhjet përballë Partisë Socialiste, të drejtuar nga Edi Rama.
Polemikat mes politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kanë shkaktuar një debat të gjerë mes deputetëve dhe bazës së kësaj partie, lidhur me autoritetin kryesor drejtues të partisë.
Top Channel