Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar për herë të parë pasi Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti nga një tubim i LVV-së në Podujevë, tha se nuk ka asgjë për tu shqetësuar pse Kosova nuk është ftuar nga SHBA, transmeton Telegrafi.
“Nuk ka asgjë për tu shqetësuar e kemi shpjeguar edhe më herët, e këtë e ka sqaruar shumë thjesht edhe Ambasada Amerikane”, tha Kurti pasi u pyet nga gazetarët.
Ndryshe, për mos ftesën e Kosovës në Samitin e Demokracisë në SHBA ka pasur reagime të shumta.
Ndërkaq, nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë kishin thënë për Telegrafin se “Jo të gjithë partnerët mund të përfshiheshin në këtë iniciativë”.
Më 9 dhe 10 dhjetor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbahet për herë të parë Samiti për Demokraci, ndërsa tashmë po qarkullon në media lista me vendet që janë ftuar për të qenë pjesë e samitit, ku Kosova nuk ka figuruar në mesin e shteteve pjesëmarrëse. /Telegrafi/
Top Channel