​Dëshmitari i gjashtë në rastin ndaj Mustafës thotë se është rrahur për shkak të bindjeve politike

10/11/2021 14:47

Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka thënë se është rrahur e keqtrajtuar nga disa persona gjatë kohës që ai thotë se është mbajtur në një ahur.

Dëshmitari pretendon se është rrahur nga disa persona me arsyetimin se i njëjti ishte spiun, por para trupit gjykues ai ka thënë se keqtrajtimi i është bërë për shkak të bindjeve të tij politike e ushtarake. Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se personat që i mbanin i urdhëronin të thoshin”vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave dhe lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Dëshmitari që mban kodin 4669 dhe po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), në Dhomat e Specializuara në Hagë është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezar Michalzuk, ku ndër të tjera ka thënë se ka mbajtur një ditar me shënime, për çka sipas tij, nga personat që thotë se është rrahur i është thënë se po e përdor për të spiunuar.

Pjesa ku dëshmitari ka treguar si është dërguar në një objekt të mbajtjes është zhvilluar në seancë të mbyllur dhe dëshmia ka vazhduar prej periudhës ku dëshmitari pretendon se ka qëndruar në një ahur me dy persona të tjera që ka thënë se mbaheshin aty.

Fillimisht ai ka thënë se është mbajtur në një ahur dhe është marrë pyetje, pastaj sipas tij është rrahur në një tjetër vend.

“Më morën në mbrëmje me vete, mi kanë mbyll sytë mos me pa ku po shkojmë, kur kemi shku atje mi kanë heq, pa duar të lidhura pa asgjë, vetëm në përcjellje të dy personave edhe dy kanë qenë anash tyre, edhe më thanë pjesën e sipërme me u zhvesh krejt, prej belit e lart me u zhvesh krejt edhe pastaj më pyesnin më thoshin pse ti ke marrë shënime në atë bllokun, si ditar që e kam pasur, është e shënuar me stilolaps, se atëherë kam shënuar me stilolaps ditarin jo me kimik në mënyrë që vetëm me i qitë ujë në rast rreziku fshihet ajo, dhe i kam thënë që kam marrë shënime që nuk më duket se janë të palejueshme askush nuk më ka thënë se janë të palejueshme ditari me marrë me vete. ‘Ti po spiunon, jo thash unë nuk kam të bëjë, nëse ke ti ndonjë dokument si provë që po spiunoj’. Ka filluar pastaj ‘përkulu, kam qenë në këmbë, tha kështu qëndro me rroba të hequra’ dhe më kanë goditur në shpinë, më kanë goditur me një shufër të gomës, sikur shufra e milicisë serbe, ka qenë shufër e tyre si duket, shufër e gomës jo shufër metalike, shufër e gomës policore”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Ai ka thënë se është marrë në pyetje nga dy persona të ri në moshë, rreth 17 dhe 18 vjeç, ndërsa dy të tjerë më të rritur ka thënë se rrinin në gjendje gatishmërie.

“Më vonë pasi kam analizuar gjërat e kam vërejtur, që mua nuk ma merr mendja që ka qenë ai qëllimi i rrahjes sime, por ka qenë më tepër çështje e bindjeve tona çfarë kemi pasur politike, ushtarake, shkaku i tyre, sikurse që u ka ndodhur shumë të tjerëve, nuk ka qenë çështja që ne kemi qenë spiunë fare, nuk ka pasur të bëjë me atë çështje fare, më vonë e kam menduar këtë jo për kohën që po më pyesni ju”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Derisa është pyetur rreth dy personave për të cilët thotë të kenë qëndruar në mbajtje me të, dhe moshave të tyre, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Sipas tij, dy personat e tjerë ishin dërguar në atë ahur disa ditë përpara tij.

“Kur ka filluar marrja në pyetje, na kanë marrë secilin një nga një, na kanë dërguar prej vendit ku kemi qenë në një vend tjetër, edhe na kanë mbuluar fytyrën dhe kur kemi shkuar në atë vend na kanë hequr prej syve atë të fytyrës dhe e kemi parë vetën që jemi në një vend tjetër por ajo ka qenë aty afër nuk ka qenë diku larg, ka qenë kapur objekti me objektin nuk më kujtohet saktë por shumë afër ka qenë në bazë të asaj që kemi ecë shumë pak. Marrja në pyetje ka qenë në mbrëmje vonë, ajo më kujtohet se ka qenë aty një dritë elektrike”, ka thënë dëshmitari.

4669 ka thënë se nga bisedat që ka dëgjuar nga sy personat që thotë se janë mbajtur aty, ka mësuar se ata janë rrahur gjatë marrjes në pyetje por sipas tij nuk e di se çka i kanë pyetur ata ose arsyen pse janë mbajtur.

Personat që sipas dëshmitarit kanë qëndruar aty, kanë marrë në pyetje dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, ishin me rroba të zeza dhe vetëm disa me pantallona ushtarake.

Gjatë dëshmisë së tij, 4669 ka thënë se aty ku pretendon se ka qëndruar me dy persona, më vonë është sjellur edhe një tjetër person, që sipas tij, kishte duart e lidhura dhe ishte i nxirë në fytyrë nga rrahja.

“Kur e kanë sjellë herën e dytë ka qenë në gjendje gati i vdekur, ka qenë i shtrirë duke gjëmuar, ka qenë edhe më i enjtur se që ka qenë, hundët i ka pasur pak si gjak dhe nuk ka qenë në gjendje as të flas as kurrgjë, vetëm rënkonte. Kjo ka ndodhur herën e dytë, ne e kemi dëgjuar herën e parë kur e kanë pru, pastaj e kanë marrë e kanë mbajtur jashtë, nuk më kujtohet atë ditë apo të nesërmen, mirëpo herën e dytë përpara se me pru brenda kur e kanë marrë e kanë lënë jashtë e kanë rrahur aq shumë sa që dëgjoheshin të rrahurat e tij pastaj e shihnim nga vrimat që e godisnin me tepër se pesë-gjashtë veta, me çkado që kishin në duar, e vërenim prej vrimave, dhe pasi që e kanë përfunduar rrahjen e kanë pru të ne, dhe pasi që e kanë pru herën e dytë edhe herën e parë, sa herë e kanë pru të ne na kanë urdhëruar me thënë vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave edhe lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto kanë qenë sa herë e kanë pru brenda që ne është dashtë e i thënë, secili prej neve të treve”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Sipas tij, rrahja ka ndodhur jashtë ahurit dhe ai ka mundur të shoh nga disa vrima që sipas tij ishin në dhomën ku mbaheshin.

Personin për të cilin ka folur, dëshmitari e përshkruan me rreth 100 kilogramë dhe gjatësi deri në 2 metra.

Dëshmitari: Personin e katërt nuk e kemi parë më

Video

“Ai i ka pasur duart e lidhura me tel, edhe i ka pasur të shtrënguara shumë, tel, tel i bakrit të bardhë apo se di si me quajt, a ka qenë i bardhë apo i zi nuk më kujtohet, por tel. Ajo ka qenë e palogjikshme… Kur e kanë marrë herën e dytë brenda një nate, ose atë natë e kanë marrë ose të nesërmen dhe më nuk e kemi parë asnjëherë, kjo është ajo përgjigja që më kujtohet, jo në bazë të thashethemeve por unë çka kam parë vet”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, gjendja e personit, të cilin e përshkruan, i ka frikësuar atë dhe personat e tjerë që mbaheshin.

“Unë e kam kuptuar që më të vërtetë jemi në rrezik për shkak që mund të na ndodh sikurse ajo që i ka ndodhur atij, dhe çështja sa i përket pse e kanë pru, ata thoshin që ai ka vjedhur gjatë luftës, sidomos një person e përmendin një grua shtatzënë që i ka vjedh të hollat të tregu thoshin dhe po ashtu që bashkëpunonte me serbët. Ashtu kam dëgjuar, ashtu kanë thënë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Ky është dëshmitari i gjashtë i ZPS-së dhe gjatë pjesës së parë të seancës ai ka thënë se në shkurt të vitit 1999 ka qëndruar dhjetë ditë në fshatin Zllashë ku sipas tij ka kryer stërvitje në mënyrë që të bëhet pjesë e UÇK-së.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA