Premiera e serialit $NOB në Top Channel rezultoi një sukses dhe këtë e tregojnë jo vetëm matësit e audiencës, por edhe komentet ‘online’.

Shumë fansa komentojnë se $NOB, bashkëprodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film me regji të Redi Trenit, skenar të Dalina Buzit dhe bashkë-producent Ols Abazin, vendosi një tjetër standard për kinematografinë shqiptare.

Në serinë pilot, të realizuar gjatë karantinës 1 vit më parë dhe të testuar paraprakisht në publik, njerëzit vlerësojnë frymën e re që përcjell seriali në tërësinë e vet, duke nisur me skenarin, produksionin, frymën e re të aktorëve, kostumografinë, muzikën, ndriçimin etj.

Më vjen shumë mirë që më në fund në Shqipërinë tonë, të mbytur nga komercialiteti dhe fast-production (çalë-çalë dhe ky), vjen një serial i nivelit $NOB! E keni rritur nivelin e prodhimit kinematografik modern në Shqipëri në përmasa të krahasueshme”, shkruan dikush. “Përjetova një super ndjesi sapo filloi. Ama dhe ndjesi krenarie që po dëgjoja çdo gjë shqip. Kisha padyshim kuriozitetin se çfarë do të ndodhë. Nëse një film a serial të jep këtë ndjesi, është padyshim super”, lexohet në një tjetër koment.

Tema aktuale, dialogu që rrjedh natyrshëm, gjuha unike e karaktereve janë elementë të përmendur si faktorë të rëndësishëm për krijimin e ngjarjeve organike dhe efektin suspancë. “Kur e pa me kënaqësi e pa lëvizur nga vendi një person me depresion që prej vitesh nuk ka parë asgjë më shumë se 5 minuta, do të thotë që i ka kaluar pritshmëritë”, “S’e kuptova kur mbaroi. Nga ato seriale që shihen brenda natës. Shumë krenare që Shqipëria arriti të bëjë një serial të tillë” dhe të tjera komente të ngjashme vlerësojnë faktin që seria premierë “nuk të linte kohë me marrë frymë”.

Fryma e re aktorëve pothuajse të panjohur për publikun u pa me optimizëm nga shikuesit. Karakteret e tyre u komentuan si interesantë, figura të reja dhe të pakonsumuara që bënë diferencën që në minutat e para.

Referuar mesazheve, $NOB dukshëm nuk u vlerësua thjesht sepse “është serial i bukur”, pasi padyshim që pati edhe kritika, duke marrë parasysh se siç kanë thënë realizuesit, seria pilot u xhirua me një buxhet minimal.

Krijuesja dhe skenaristja Dalina Buzi është shprehur se “dua të rrëfej historinë” dhe shikuesit vlerësuan pikërisht mënyrën si historia u përcoll tek ata, duke nisur nga skenari i mirëmenduar e deri te produkti final.
Rrëfimi përmes skenarit, aktrimit, ndriçimit, plan-detajeve, skenografisë e muzikës të linte shijen e një prodhimi të huaj.

Më në fund në vendin tonë kinematografia është kaq fantastike, artistike dhe cilësore si jashtë shtetit! Më dukej sikur po shihja një serial Netflixi”, komenton dikush mes shumë të tjerëve si, “Seriali i parë shqiptar që më intrigon dhe më shijon duke e parë. Pasi në çdo serial që kam parë më përpara më dukej sikur nuk e kuptoja ‘shqipen’ kur flisnin aktorët”, apo “Super realizim! Më duket sikur po shoh një serial të huaj ku flasin shqip”.

Seria e dytë e serialit do të transmetohet të dielën e ardhshme, në orën 20:00, në ekranin e Top Channel.

FOTO GALERI
8/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA