Haradinaj: Kosova po hyn në krizë të thellë sociale, Ligji i Pagave të dërgohet në Kuvend

09/11/2021 02:44

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj thotë se Kosova po hyn në krizë të thellë sociale e që qytetarët kanë filluar të përballen me mbijetesë.

Ai thotë se rritja enorme e çmimeve ka goditur çdo shtresë të popullsisë. Haradinaj ka kritikuar Qeverinë për këtë.

“Kosova po hyn në krizë të thellë sociale. Qytetarët kanë filluar të përballen me mbijetesë. Rritja enorme e çmimeve ka goditur çdo shtresë të popullsisë. Qeveria e Kosovës, i ka lënë në pozitë të vështirë kategoritë të cilat kanë bartur barrën kryesore të përballjes me pandeminë, si pasojë e së cilës edhe ekonomia edhe bizneset kanë përjetuar goditje të rëndë. Për krejt këto arsye, sot jam me punëtorët shëndetësorë që protestojnë për të drejtat e tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Ish-kryeministri kërkon që Ligji i Pagave të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

“Qeveria duhet të kthjellohet urgjentisht dhe të konsiderojë të gjitha masat e nevojshme që e lehtësojnë përballimin e kësaj situate të rëndë. Kërkesa jonë urgjente është që Ligji i Pagave të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës, si dhe përpilimi i buxhetit të ri të jetë në përputhje të plotë me nevojat imediate që reflektojnë përballjen me situatën e rëndë ekonomike e sociale”, ka shkruar Haradinaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA