“Vettingu në politikë”/Basha: Raportet ndërkombëtare tregojnë natyrën e vërtetë të pushtetit të korruptuar

08/11/2021 18:25

Kreu i Partisë Demkratike, Lulzim Basha gjatë fjalës në kuvend tha se raportet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria është nën pushtetin e një qeverie të korruptuar.

“Natyrisht, kjo masakër me taksat e shqiptarëve, e cila prodhon edhe gjendjen e zymtë ekonomike dhe shoqërore në të cilën ndodhet vendi, nuk mund të ndalet me fjalë, as vetëm raporte ndërkombëtare që tregojnë natyrën e vërtetë të një pushteti të korruptuar.
Ajo që ndodh jashtë kësaj salle, e ka origjinën në këtë sallë, ku shumica e qytetarëve nuk përfaqësohet si e tillë, për shkak të aleancës së politikanëve me krimin e organizuar dhe korrupsionit.

Dhe zgjidhja që ne ofrojmë për qytetarët shqiptarë është vettingu në politikë.
Një instrument që shërben për pastrimin e politikës dhe njëkohësisht krijon premisat e domosdoshme për rritjen e përgjegjshmërisë së politikanëve në mënyrë të tillë që të mos përfaqësojnë interesa korruptive dhe kriminale, por interesat e qytetarëve.
Duke thyer bashkëpunimin mes politikës, krimit dhe oligarkisë, ne mund të adresojmë realisht krizën e korrupsionit që ka gjunjëzuar shtetin, ka shkërrmoqur demokracinë, dhe po mbyt të ardhmen e Shqipërisë duke e bërë të pajetueshme për shqiptarët”, tha Basha.

Sipas Bashës, kundërshtarët e Vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth.

“Që parlamenti, qeveria dhe institucionet e tjera që u përkasin qytetarëve, të punojnë për familjet shqiptare, për problemet e vogla dhe të mëdha që shqetësojnë çdo ditë njerëzit e këtij vendi, duhet të mos jenë strehë për ata që kanë abuzuar me besimin e qytetarëve dhe që janë pasuruar në kurriz të tyre, duke marrë vendime dhe ulur e ngritur kartonat në shërbim të krimit apo oligarkisë, nw dwm tw familjeve shqiptare.
Padyshim e di, që kjo nismë e shumëpritur nga qytetarët, nga disa anatemohet si drakoniane. Shoh edhe se si po shkelet syri ekraneve mes atyre që duken të pangjashëm në tip, por janë të ngjashëm në halle.
I shoh teksa po saldojnë edhe aleanca të fshehta e publike, të diktuara nga frika që ju ngjall përballja me atë që i kanë bërë këtij vendi, të dëshpëruar për të ruajtur status quo-në dhe ekuilibrat e vjetër.

Por rendi i gjërave ka ndryshuar njëherë e përgjithmonë. Prandaj kundërshtarët e vettingut në politikë do të jenë një pakicë e papërfillshme, pasi të paktë janë përfituesit nga abuzimet që kryejnë ata që kthyen jetën e shqiptarëve në makth
Ndërsa të shumtë, në fakt shumicë absolute janë të gjithë ata shqiptare e shqiptarë që përfitojnë nga fundi i makthit të korrupsionit dhe krimit të lidhur me politikën“, tha Basha.

Sot po diskutohet Akti Normativ nr. 31, datë 27.10.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021” të ndryshuar””.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA