Real Madrid në krye të La Liga-s. “Los Blancos” fituan 2-1 në shtëpi kundër Rayo Vallecanos, kundërshtar ndaj të cilit regjistruan suksesin e dhjetë radhazi në “Santiago Bernabeu” në kampionat.

E treta ndeshje radhazi në të gjithë kompeticionet me këtë rezultat për djemtë e Carlo Ancelottit, të cilët i falen golave të Toni Kroos dhe Karim Benzema në pjesën e parë. Vinicius Junior gjeti rrjetën kundërshtare që në minutën e pestë, por festa e sulmuesit brazilian u frenua për shkak të pozicionit të parregullt.

Vendasit nuk u ndalën dhe nëntë minuta më vonë kaluan në avantazh. Goditje e menjëhershme e Toni Kroos pas asistit të Asensios, topi në trekëndësh, Reali në avantazh dhe tifozët në festë. Në minutën e 38-të erdhi edhe goli i qetësisë. Top i bukur në zonë nga David Alaba dhe Karim Benzema nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, duke gjetur golin e 14-të sezonal.

Ylli francez kryeson renditjen e golashënuesve më të mirë të kampionatit me 10 gola, tre më shumë se De Tomas i Espanyol dhe Vinicius Junior, shoku i skuadrës. Pjesa e dytë ishte më e luftuar, teksa të dy skuadrat krijuan mundësi të rrezikshme. Golin e gjetën miqtë në 13 minuta përpara fundit të sfidës. “Veterani” Radamel Falcao shfrytëzoi një krosim nga e majta dhe mposhti me kokë portierin Courtois.

Vetëm kaq, edhe pse miqtë iu afruan barazimit në minutat shtesë, Reali kaloi me sukses një përballje të komplikuar dhe është ngjitur në krye të kampionatin spanjoll me 27 pikë, dy pikë më shumë se Real Sociedad. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa në limitet e fraksionit të parë të ndeshjes u ndëshkua me karton të verdhë.

Në takimin tjetër të ditës së sotme, Alaves fitoi 2-1 me përmbysje kundër Levantes. Miqtë mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të de Frutos (13’), por Joselu tundi rrjetën dy herë në çerekorëshin e fundit (77’ (pen), 90+1’), duke i dhuruar Alaves tre pikë jetike për objektivin mbijetesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA