Nga 1.307 shtetas afganë, të cilët kanë ardhur në Kosovë, 601 prej tyre janë larguar për në shtete të ndryshme.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar të premten se më shumë se 100 shtetas afganë që kanë qenë duke qëndruar përkohësisht në Kosovë, të premten më 5 nëntor, janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një postim në rrjetin social Twitter, ambasada e ka falënderuar Kosovën për mikpritjen e afganëve.

“Mëngjesin e sotëm, fluturimi i katërt u nis nga Kosova me mbi 100 afganë, të cilët së shpejti do të fillojnë një jetë të re në SHBA”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Twitter.

Ministria Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, se në Kosovë deri tash kanë ardhur 1.307 persona, aktualisht janë 706, kurse janë larguar 601 persona. Për sjelljen e afganëve në Kosovë apo largimin e tyre janë realizuar 34 fluturime aeroplanësh.
Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do t’i strehojnë rreth 2,000 shtetas afganë, të cilët kanë punuar me Shtetet e Bashkuara dhe me shtetet aleate të NATO-s.

Sipas ligjeve në fuqi, Kosova u ka dhënë qëndrim të përkohshëm deri në një vit.

Për dallim nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ku afganët që po gjejnë strehim atje janë të lirë të lëvizin jashtë hapësirave ku ata janë të vendosur, për afganët që strehohen në Kosovë ka masa më të rrepta të sigurisë.

Forcat ndërkombëtare, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit, janë tërhequr nga ky vend në fund të gushtit.

Rreth 60 mijë persona që ikën nga ky shtet përmes fluturimeve ushtarake të organizuara nga SHBA-ja dhe shtetet e tjera aleate, përfunduan në vende të ndryshme të botës./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA