“Open Balkan” në Beograd/ Rama: Në janar të lëvizim lirshëm! Vuçiç: Samiti i Tiranës në dhjetor, firmosim memorandumin e lejeve të punës

04/11/2021 11:50

Liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut këtë të enjte në konferencën e përbashkët në Beograd, në kuadër të “Open Balkan”, thanë njëzëri se kjo nismë synon lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave në kufijtë e rajonit.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se janari i vitit të ardhshëm do të jetë muaji kur do të duken hapat konkretë të nismës së Ballkanit të Hapur.

I gjithë fokusi ka qenë te njerëzit, te kompanitë, fermerët, punëtorët, akademikët, studentët që janë dhe përfituesit real të Ballkanit të Hapur. Produktet nuk mund të rrinë me ditë në kufi, kjo shton koston në mënyrë marramendëse, ndërkohë që ndikon negativisht te produktet. Nuk mund të shkosh në kufi të premten dhe të presësh deri të hënën për të kaluar qumështin, kur ai është bërë kos. Apo për të pritur tre javë konfirmimin nga agjencitë e vendeve të tjera që të marrin produktin. Rezultatet do të paraqiten në Tiranë, në takimin e radhës në dhjetor dhe do të jenë përfitime për gjashtë vendet e rajonit, jo tre. Nga janari, në kufi fillon një relaksim, do të jetë shumë i lehtë kalimi i mallrave dhe kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike”, tha Rama.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi se sipërmarrësit kryesorë të tre shteteve që janë tashmë pjesë e nismës së Ballkanit të Hapur, janë mbështetësit kryesor të një nisme të tillë. Sipas tij, po synohet që qytetarët shqiptarë, maqedonas apo serbë për një vit e gjysmë të lëvizin pa asnjë lloj kufiri në të tre vendet. Ai tha se në dhjetor në Samitin e Tiranës do të nënshkruhet edhe memorandumi për lejet e punës për të tre vendet që janë pjesë e “Open Balkan”.

“Kemi pasur edhe mbështetje, duhet të fluturojmë se kemi mbetur pas vendeve të zhvilluara evropiane për të pasur një përmirësim të madh. Kemi vonesa të mëdha që do të përpiqemi t’i zgjidhim. Reciprociteti për blerjen e pasurive të paluajtshme është një ndër to dhe zoti e di se çfarë gjërash burokratike janë pjesë. Samiti i Tiranës do mbahet pas Krishtlindjeve, datat 25-26 apo dhe 28 dhjetor, por kjo i takon Ramës ta vendosi. Do të nënshkruajmë memorandumin me lejet e punës. Unë jam më i dëshpëruari nga të gjithë kur nuk realizohen ato”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, është shprehur nga Beogradi se në muajin dhjetor në Tiranë do të shpalosen fitoret e deritanishme të nismës.

“Rëndësia që Maqedonia e Veriut i jep kësaj nisme është pikërisht në këtë drejtim. Kjo nismë synon që të ndërtojë solidaritet duke u zhvilluar, duke ndërtuar një treg të përbashkët rajonal. Gjithçka do të realizohet vetëm me vullnet politik që duhet të përkthehet në zgjidhje legjislative, çka do të thotë marrëveshje ndërkombëtare. Ne kemi hapur bisedime të sinqerta me bizneset. Ata humbasin shumë me procedura burokratike. Në Tiranë do të deklarojmë fitoret e deritanishme. Është shumë e rëndësishme që nisma të mbetet e hapur për të gjitha vendet e rajonit. Besoj se sa më të vendosur të jemi për të ecur përpara aq më të besueshme do të bëjmë nismën edhe për vendet e tjera”, tha Dimitrov.

Edhe ky takim i radhës e gjen iniciativën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Edhe pse kreu i qeverisë malazeze ishte pjesë e darkës së djeshme në Beograd, përkrah Ramës dhe Vuçiç, deklaroi se mbështet çdo nismë që i vjen në ndihmë rajonit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Nisma për bashkëpunim rajonal u përkrah edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE dhe Gjermania e cila doli në një deklaratë ku kërkoi me urgjencë që të nënshkruhet marrëveshja për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor.

Por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.

 Çfarë është “Ballkani i hapur”?

Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.

Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tre vendeve.

Në korrik të këtij viti, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri: “Ballkani i hapur”.

Çfarë është arritur deri më tani?

Është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.

Janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Është rënë dakord që kontrollet kufitare ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen nga 1 janari i vitit 2023.

Është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA