Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku ka folur në Kuvend për ligjin për “bashkëqeverisjen” duke thënë se zyra e kryeministrit po kthehet në kullë kontrolli, ku i gjithë pushteti përqendrohet zyrtarisht në një dorë.
Ajo reagoi ashpër ndaj ish kryeministrit Arben Ahmetaj duke thënë se duhet të ishte në SPAK, jo të bënte humor për bashkëqeverisjen. Nuk mungoi komenti i saj edhe për Ulsi Manjën, për të cilin tha se duhet të merret me ngjarjet që ndodhin në Kadastrën e Vlorës, jo për korrupsionin.
Fjala e Jorida Tabakut: Disa vite më parë kishin argument edhe ndonjë humor e bënin, por të rrish të dëgjosh batutat 2-lekëshe, batutat e Arben Ahmetaj, që duhej të ishte sot përpara SPAK-ut që flet e bën humor për bashkëqeverisje, e flet për socialistë e demokratë të ndershëm në fakt që nuk kanë asnjë lidhje me moralin dhe karakterin e tij, me të vërtetë që është për të qeshur.
Në fakt, sot duhej të kishim diskutime serioze në parlament.
Duhej të flisnim me fakte, shifra, se çfarë po ndodh sot me shtetin shqiptar. Dhe kush është e ardhmja e shtetit shqiptar.
Ligji sigurisht tregon tendencën, mënyrën se si këta duan të qeverisin, tregon problematikën që ka sot shteti.
Dëgjova Ministrin e Drejtësisë që foli për luftën ndaj korrupsionit, dhe tha: “Zyrtarët nuk bëjnë punën, dhe vetëm Edi Rama e bën punën. Dhe do i mbledhim të gjitha brenda çatisë së Edi Ramës, Agjensinë për bashkëqeverisjen, agjensinë e fondeve, agjensinë e medias, katër ministri pa portofol, të gjitha, do bëjmë një qeveri paralele brenda zyrës së kryeministrit, sepse vetëm ai punon, nuk punon asnjë tjetër”.
Foli për korrupsionin, në fakt tek Kadastra, që nuk e di se si mundet të vazhdojë një ministër drejtësie të flasë akoma për korrupsionin, Kadastra, ku me vendime qeverie kanë dhënë tokat shtetërore me 1 Euro. Foli për dosjet që flenë atje ku kanë 8 vite që qeverisin. U vodh zyra e Kadastrës së Vlorës pak kohë më parë, u vodh për t’i hapur rrugë vjedhjes së pronave atje në jug e nuk ka asnjë person përpara drejtësisë sot.
Ministri i Drejtësisë që duhet të merret me këtë çështje, thotë se do të koordinojë korrupsionin. Do të korrdinojë përpjekjet e korrupsionit në të gjithë qeverinë shqiptare.
E vetmja e vërtetë që thanë, është; po është e vërtetë, që ka qenë ditë e zezë për Shqipërinë ka ardhur që të na qeverisin këta sot e të dëgjojmë humor banal kur shqiptarët janë duke vdekur për bukën e gojës, kur shqiptarët sot…
Ndërhyn nga vendi Arben Ahmetaj…
Jorida Tabaku: Zonja kryetare, të lutem dua të flas. (I drejtohet Arben Ahmetaj) Do të shkosh edhe ti në SPAK si Erjon Veliaj? Unë e kuptoj Ahmetaj që është në pozitë të vështirë, e kuptoj që vjen këtu, flet dy-tre fjalë dhe ikën se në fakt nuk mban asnjë përgjegjësi. Se kur s’kemi sistem drejtësie…
Për të gjitha shpifjet ndaj meje Ahmetaj unë i kam dërguar në SPAK dhe ti këtë fat do të kesh, siç kanë ata që kanë folur një fjalë kundër meje.
Për t’u kthyer tek banalitetet që dëgjuam sot. E vetmja gjë e vërtetë që diskutuam në këto orë seancë, është se Shqipëria ka kaluar dy kriza shumë të vështira, të cilat fatkeqësisht u keqmenaxhuan, fatkeqësisht u përdorën për të vjedhur shqiptarët, për afera korruptive, fatkeqësisht sot shqiptarët pas këtyre dy krizave janë më të varfër.
Ndërkohë ne sot diskutojmë për parimet e shtetit dhe e di që për shumë shqiptarë është luks. Është luks të flasësh për demokracinë, për përqëndrimin e pushtetit, është luks të flasësh për parimet të cilat janë cenuar përgjatë këtyre 8 viteve, ku njerëzit janë duke u larguar nga Shqipëria për bukën e gojës.
Janë duke u larguar për humbjen e shpresës. Janë çdo ditë e më shumë të varfër se me çdo vendim që merr kjo qeveri, gdhihen më të varfër.
Unë dy shqetësime kam për agjensinë e cila krijohet. Kolegët e mi të Komisionit të Ligjeve do të flasin më në detaje për këtë.
Besoj ka patur një debat të gjerë, por shqetësimi kryesor që unë kam me këtë agjensi që përveç çështjes buxhetore që sigurisht është një shqetësim, lidhet me përqëndrimin e kontrollit të pushtetit. Tashmë zyra e kryeministrit po kthehet në një kullë kontrolli duke mbledhur funksione e përgjegjësi, duke zëvendësuar dhe duplikuar punën që kanë institucionet e linjës, duke eliminuar kontaktin që kanë qytetarët me institucionet e linjës, mediat me institucionet e linjës, agjensitë ligjzbatuese në rastin e zbatimit të fondeve, me çdo lloj instance tjetër shtetërore, duke i mbledhur këto, në një kullë kontrolli në zyrën e kryeministrit. Ky është një fakt shumë shqetësues, ashtu siç është shqetësues fakti që ky ligj që po diskutojmë mbivendos funksionet e Kodit të Procedurës Administrative, i cili është një ligj që duhet të votohet me shumicë të cilësuar. Këta me një ligj të thjeshtë e shumëzojnë atë me zero.
Nuk pres asgjë ndryshe. Nuk pres të respektojnë Kushtetutën, as të respektojmë parimet bazë të një shteti normal, në momentin kur duan ta ndryshojnë Kushtetutën me akt normativ, as nuk pres të respektojnë të drejtën e qytetarëve kur i shkelin me të dyja këmbët me sistemin e patronazhistëve, thjesht janë duke kthyer një pamflet elektoral, ashtu siç reflektohet ligji, në një agjensi zbatuese të tyre, duke shtuar bashkimin e rolit që ka shteti me partinë, duke mbivendosur funksione partiake,duke i çuar në zyrën e kryeministrit, duke shkelur çdo parim të ndarjes së pushteteve dhe të respektimit të drejtave të njeriut. Ky është elementi më shqetësues në këtë ligj. Ky është elementi që duhej të flisnim që të gjithë, por e kuptoj që qytetarët nuk janë të shqetësuar as për vjedhjen e zgjedhjeve, nuk janë të shqetësuar as për cënimin e demokracisë, minimin e demokracisë, as për faktin që Parlamenti sot është kthyer në një noter të qeverisë dhe kalon me symbyllur çdo ligj, qoftë ky edhe kur cenon konkurrencën në treg, të drejtat e njeriut, qoftë ky edhe kur cenon MSA-n, shkel MSA-n ose standardet bazë të funksionimit të një shteti.
Duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike, financiare, sociale që sot shqiptarët po kalojnë edhe unë e them pa kompleks, që do ta miratojnë marrëveshjen e vaksinave.
Çdo marrëveshje tjetër që do të shërbejë, nuk ka absolutisht asgjë të keqe të votosh një marrëveshje që shërben në të mirë edhe të zhdukjes së pandemisë, që nuk është fenomen lokal, është fenomen ndërkombëtar në këtë moment.
Por, ta harrojë ai që foli dhe ta harrojë kushdo tjetër, që këtu në këtë parlament, do të diskutojmë ne për bashkëqeverisje, do të diskutojmë ne për vendosje bashkë të dy palëve politike, për votime bashkë të ligjeve. Ashtu siç e kam treguar dhe do ta tregoj edhe në vijim, për mua ka vetëm një kundërshtar, kundërshtari janë këta që janë sot në qeverisje. Kundërshtarë janë ata që kanë varfëruar qytetarët dhe çdo moment, çdo mënyrë tjetër do ta përdorim për të treguar, për të votuar kundër çdo ligji, sikurse ky i sotmi, dhe për të treguar që e keqja më e madhe e shqiptarëve sot duhet të largohet.
Top Channel