Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk i është përgjigjur pyetjeve të REF lidhur me takimin e “Open Balkan” që mblodhi në Beograd presidentin serb Aleksandar Vucic, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe zv/kryeministrin maqedonas, Nikola Dimitrov.
Megjithatë, burime në qeveri thanë se “Kosova nuk është pjesë e nismës, ndaj preferojnë të mos i komentojnë zhvillimet e këtyre ditëve. Ata shtuan megjithatë se qëndrimet e Qeverisë së Kosovës kundër kësaj iniciative “tashmë janë të njohura”. Kurti është shprehur më herët se Kosova nuk do të bëhet pjesë e Ballkani i Hapur.
““Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, tha ai muajin e kaluar.
Kurti i mëshoi idesë se Procesi i Berlinit është korniza dhe rruga e duhur për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë mjaftueshëm të gjerë që të mos ketë nevojë për variante të tjera alternative”.
Top Channel