Fiks Fare/ Të rinjtë me çrregullime të spektrit autik të braktisur, në Shqipëri nuk ka qendër zhvillimi për adultët

04/11/2021 20:40

Lindita Kosturi dhe Çlirim Zajmi prindër të dy fëmijëve të diagnostikuar me çrregullime të spektrit autik kanë kërkuar ndihmën e emisionit “Fiks Fare” për të shprehur një shqetësim.

Ata ngrenë zërin se po vuajnë mungesën e një qendre zhvillimi për fëmijët e tyre, pasi për moshën mbi 18 vjeç nuk ka asnjë qendër të tillë. Ata tregojnë se kur fëmijët e tyre kanë qenë më të vegjël janë trajtuar me terapi dhe seanza zhvillimi, por tani që kanë kaluar moshën 18 vjeç nuk gjejnë përkrahjen e një institucioni ku mund t’i dërgojnë. Prindërit thonë se u duhet që fëmijët e tyre të kenë patjetër dikë mbi kokë, pasi herë pas here shfaqin shenja agresiviteti. Kjo ndodh jo vetëm me familjarët, por mund të lëndojnë edhe njerëz të ndryshëm apo edhe veten.
Çlirimi thotë se e bija trajtohet me një kemp prej 120 mijë lekësh të vjetra dhe aq të ardhura nuk mjaftojnë as për shërbimet e saj dhe as për seancat e terapive. I gjendur në këto kushte ai shprehet se është i detyruar të lërë punën dhe t’i përkushtohet vajzës së tij. I pyetur nëse ka patur një mbështetje institucionale ai shpreh pakënaqësira dhe thotë se fëmijët me çrregullime të tilla nuk kanë nevojë vetëm me datën 2 Prill në ditën kombëtare të Autizmit, por u duhet vëmendje në 365 ditë të vitit, kjo jo për mëshirë, por për nevojat që ata kanë.

Erges Eskiu, Logoped dhe terapist zhvillimi në lidhje me mungesën institucionale për fëmijët me autizëm thotë se ata kanë nevojë të trajtohen dhe të ndiqen me terapi private dhe shtetërore. “Një fëmijë me autizëm ka nevojë për përkujdesje dhe kjo për prindin është e vështirë, pasi i duhet që njëri të mos jetë në marrëdhënie pune. Asistenca që marrin këta fëmijë doja të bëja thirrje që të jetë më e madhe, pasi nuk mjaftojnë 200 mijë lekë të vjetra as për terapi. Fëmijët me nevoja të veçanta kanë nevojë për kujdestari të veçantë. Është më mirë që fëmijë të jetë në një institucion për t’u socializuar. Qendra trajtimi për adultët ka qenë vetëm një qendër në zonën e quajtur Prush dhe që duhej të financohej nga vetë prindërit. Është shumë e vështirë për këta fëmijë sepse pas moshës 18 vjeç e kanë shumë të vështirë se ku duhet të drejtohen dhe për fat të keq u duhet të mbyllen në shtëpi. Është e rëndësishme të hapen institucione të reja me staf të kualifikuar” u shpreh për Fiks Fare z. Eskiu.

Ndërsa Besmira Zenelaj, Psikiatre pranë Qendrës Kombëtare të Zhvillimit për fëmijët dhe adoleshentet thotë se në këtë qendër trajtohen vetëm grupmoshat nga 0-18 vjeç. Në trajtimin e tyre përfshihet psikiatri, pediatër zhvillimi, rehabilitimi psikosocial. Momentalisht në këtë qendër trajtohen 120 fëmijë për probleme të ndryshme të shëndetit mendor dhe jo vetëm. “Ne funksionojmë me hospitalizime ciklike për fëmijët që nuk kanë mundësi të marrin shërbimet ne vende të largëta. Për moshën mbi 18 vjeç nuk bëhet fjalë më për zhvillimin e tyre, sepse mendohet që në këtë moshë kanë arritur mjaftueshëm zhvillim” shpjegon znj. Zenelaj. Ajo thotë se për të rinjtë me probleme specifike mbi 18 vjeç janë qendrat komunitare ku përbëhen nga mjek psikiatër. Këto qendra komunitare që janë tre vetëm në Tiranë të përbërë nga punonjës social , psikiatër dhe një psikolog e shtrijnë shërbimin vetëm me vizita dhe jo me hospitalizim. Pra nëse një i ri me çrregullime të spektrit autik pëson një krizë merr vetëm shërbimin e shpejtë në këto qendra e më pas duhet të rikthehet sërish në shtëpi.

Këta prindër duan që fëmijët e tyre edhe pse kanë kaluar moshën 18 vjeçare të kenë ende qendra në të cilat mbi të gjitha ata të socializohen.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA