​Kurti: Pa përkrahje të sektorit privat nuk mund të ketë zhvillim ekonomik

04/11/2021 17:10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet nëse nuk i japin përkrahje zhvillimit të sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit, e cila do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në shtimin e punësimit.

Kurti gjatë takimit me komunitetin e biznesit të Prishtinës, në kuadër të fushatës informuese “Ditët e biznesit kosovar” të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tha se qeverisja e mirëfilltë, zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve janë vizion i qeverisë që e drejton.

Ai tha se Qeveria është e përkushtuar për të ndihmuar një sektor privat të qëndrueshëm dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë të këtij mjedisi në mënyrë që ekonomia e vendit të gëzojë përkrahje efikase dhe të drejtuar kah zhvillimi.

“Është e qartë që zhvillimi ynë ekonomik varet nga krijimi i një klime të favorshme për investime të huaja dhe vendore, pa vonesa administrative, me sundim të ligjit dhe me konkurrencë për cilësi. Zhvillimi ekonomik nuk mund të arrihet po qe se nuk japim përkrahje zhvillimit të sektorit privat me nxitje të prodhimit dhe rritje të eksportit e cila do të ndikojë në përmirësimin e bilancit tregtar dhe në shtimin e punësimit te ne. Avancimi i sektorit privat kërkon një sistem financiar stabil që është në gjendje për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe me kushte të favorshme për bizneset. Sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë ka një rritje të përshpejtuar prej 9.9% të Bruto Produktit Vendor për këtë vit. Krahasuar me një vit më parë, të ardhurat tatimore janë shtuar për 33.5% në periudhën janar-shtator, ndërkaq eksportet me 68%, kurse numri i të punësuarve për periudhën mars-shtator është rritur me 9,351 punonjës”, tha ai.

Kurti tha se shtimi i të hyrave tatimore është bërë pa ndryshuar politikat fiskale, e për shkak të performancës dhe menaxhimit të mirë financiar tha se buxheti i vitit 2022 është rritur për 220 milionë euro apo 8.7%, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti.

I pari i qeverisë tha se qasja në financa dhe kostoja e financimit janë ndër sfidat kryesore që prodhuesit vendor kanë për të zgjeruar kapacitetet e tyre, derisa tregoi se çka përfitojnë nga Pako e Ringjalljes Ekonomike.

“Me masën 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, për subvencionim prej 20% të kredisë investive, prodhuesi që investon 500,000 euro në zgjerim të kapaciteteve do të marrë edhe më shumë sesa kamata që paguan: 100,000 euro, më saktësisht. Ndërkohë, që ta zëmë me kamatë 6% që duhet t’i kthesh brenda 5 viteve biznesi do të duhej ta kthente përveçse shumën e marrë gjithashtu edhe kamatën prej afër 80 mijë euro, më saktësisht prej 79, 984 euro. Pra, më 1/5 e kryegjësë merr më shumë se sa pagesa për kamatën e gjithmbarshme brenda 5 viteve me 6% interes. Dhe mbështetja jonë nuk do të ndalet me kaq. Sepse me masën 2.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, secili prodhues do të mund të përfitojë deri në 130,000 euro tjera dhe atë shtesë mbi subvencionimin e investimit, për të ngritur kapacitetet e stafit, rritur cilësinë e produktit, dhe gjetjen e tregjeve të reja. Disa nga arritjet që kanë lidhje me zhvillim të sektorit privat janë edhe: Demonopolizimi i terminaleve doganore, të cilat nga mesi i vitit të ardhshëm do të shtrihen në tërë territorin e Kosovës”, tha ai.

Kurti përmendi edhe miratimin e ligjit për tregtinë me derivatet e naftës dhe lëndët djegëse të rinovueshme, ligjin për Gjykatën Komerciale dhe u shpreh se janë duke e azhurnuar një listë me mbi 100 ide-projekte, kryesisht nga sektorët e infrastrukturës, mjedisit dhe energjisë, në vlerë të përgjithshme prej rreth 3 miliardë euro.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka treguar prioritetet e ministrisë që e drejton, teksa u shpreh se si qeveri punojnë për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Ministrja u shpreh se si qeveri kanë miratuar ligjin për Gjykatën komerciale, ligjin për tregtinë e jashtme, ligji për mbrojtjen e konkurrencës për dizajnin industrial, ligji për zonat ekonomike dhe rishikimi i ligjeve për investimet e huaja.

“Rritja e konkurrueshmërisë së sektorit privat, nxitja e investimeve, e inovacionit dhe ndërmarrësia, dhe vëmendje të veçantë, prioritet të veçantë ka infrastruktura e cilësisë dhe po ashtu turizmi. Pra, vlen të përmendet që turizmi është një nga prioritetet e reja si prioritet i pestë i kësaj ministrie dhe jemi të bindur që kemi shumë potenciale për të zhvilluar industrinë e shërbimit përpos industrisë prodhuese dhe përpunues. Resurset e Kosovës dhe potenciali i të rinjve që janë tani më motiv i mjaftueshëm për të punuar me vetëmohim që të krijojmë vende pune për secilin prej tyre dhe që këto resurse t’i kthejmë në shërbim në të mirën e përgjithshme të popullit”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se janë 716 biznese të reja që janë regjistruar muajve të fundit, e kjo sipas saj, tregon për rritjen e besimit dhe shpresës së të bërit biznes në Kosovë.

Hajdari ripërsëriti se eksporti për shtatë muajt e parë të vitit 2021 është 407 milionë euro dhe se sipas këtij trendi viti i ardhshëm do të jetë edhe më i lartë.

Ndërkaq, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, tha se janë duke vazhduar me procesin e digjitalizimit të punës me qëllim që të lehtësojnë punën e bizneseve në Kosovë.

Murtezaj: Gjatë periudhës nëntë mujore të arrijmë të rrisim të hyrat tatimore për mbi 33 përqind

Video 3.34

“Gjatë periudhës 2021 ATK ka arritur një progres të theksuar fal mbështetjes së qeverisë, që gjatë periudhës nëntë mujore të arrijmë të rrisim të hyrat tatimore për mbi 33 përqind. Njëkohësisht kjo rritje nuk mund të konsiderohet si sukses pa përkrahjen e juaj dhe pa bashkëpunimin e mirëfilltë që e kemi me komunitetin e biznesit. Gjatë këtij viti njëra ndër atributet që i referohet kësaj rritje është edhe puna e madhe që është bërë në mbledhjen e borxheve tatimore ndaj bizneseve”, tha ai.

Në këtë konferencë, përfaqësuesi nga Dogana e Kosovës, Bahri Berisha, tha se janë të përkushtuar për të lehtësuar lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, lehtësim të procedurave dhe luftim të kontrabandës.

“Eliminimi i barrierave, digjitalizimi i shërbimeve, koncepti i punës pa letra, shkurtimi i kohës dhe ulja e shpenzimeve të panevojshme, siç është thënë edhe rifillimi i punës së terminalit doganor po edhe vazhdimi i ndërtimit të terminaleve të tjera publike në krejt pjesët tjera të Kosovës, janë prioritet për lehtësimin e tregtisë dhe për një zhvillim ekonomik kombëtar…Deklarimi vullnetar nga ju, përmbushja vullnetare ka arritur në nivel rreth 98 përqind në Doganën e Kosovës, jemi duke folur për një tregti rreth mbi 4 miliardë euro që do të arrijë këtë vit dhe deklarimi vullnetar është mbi 98 përqind”, tha ai.

Fushata informuese “Ditët e biznesit kosovar” ka filluar me 1 nëntor të këtij viti dhe do të zgjasë deri me 17 dhjetor, ku do përveç Prishtinës do të organizohet edhe në qytete të tjera të Kosovës./KosovaPress/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA