Në fillim vendi u përball me rënie të gati gjysmës së prodhimit të brendshëm mes 1989 dhe 1992 dhe inflacioni u rrit në tre shifra.
Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë 1993–95 ishte afro 10 përqind ndërsa inflacioni ra duke qenë me një shifër. Mandej ndodhi privatizimi i bujqësisë, tregtisë me pakicë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Por në sistemin bankar nuk ishin shfaqur ende bankat e para private. Dhe sistemi zyrtar financiar ishte I pamjaftueshëm për zhvillimin që po përjetonte vendi i sapo dalë nga kthetrat e komunizmit. Tre bankat shtetërore që dominonin tregun e depozitave nuk ishin ndërmjetës të besueshëm i kursimeve dhe bankat private u shfaqën me ngadalë dhe jo të interesuara për tërheqjen e depozitave në monedhën vendase, duke u fokusuar kryesisht në financimin e tregtisë. Interesa të ulta dhe sistem joadeguat pagesash ku koha e gjatë dhe burokracitë të mërzisnin, shtoji këtyre problematikave edhe mosbesimin e përgjithshëm ndaj bankave, shkaktonin shqetësim te sipërmarrësit e rinj. Po ashtu sistemi bankar nuk ishte proaktiv ndaj dhënies së kredisë. Në këtë mënyrë populli me kursimet e tyre në këtë sistem të ri ku emigracioni luajti një rol të rëndësishëm për grumbullimin e parave, iu drejtua firmave piramidale.
“Në kontekstin e asaj kohe, kërkesa e lartë nga njëra anë për kapital dhe nga ana tjetër pamundësia e tregut formal të kredisë për të mbështetur këtë kërkesë në rritje, e adresoi drejt burimeve të tjera alternative siç ishte tregu informal.Një fenomen shumë i njohur në histori, nuk është vetëm fenomen i ndodhur në Shqipëri. Ka ekzistuar edhe në vendet e tjera të lindjes. Rumani, Bullgari dhe në vende të tjera në tranzicion. Ajo që është specifike në Shqipëri, janë përmasat e fenomenit. Në Shqipëri u kompromentua pothuajse më shumë se ¼ e pasurisë kombëtare në skemat piramidale që do të thotë dhe shembja e këtij tregu do të prodhonte një destabilitet të përmasave që ne e përjetuam me pothuajse luftën civile të 1997” u shpreh ekserti i ekonomisë, Selami Xhepa.
“1990-1992 kemi bërë polemika me përfaqësues të FMN dhe BB. Në kundërshtim me të gjitha vendet, në Shqipëri u ndoq një procedurë jo e rregullt e privatizmit. Në vendet e lindjes ndodhi përmes ristrukturimit që bëri shteti, investimeve dhe kthimin e tyre në gjendje pune për të arritur vlerat diçka më të mira, për ta future linjën e prodhimit teknologjik. Ne kemi patur rreth 600 ndërmarrje të mëdha dhe të mesme. Kishim industri ushqimore, Industria e lehtë ishte rentabël, me pak investim mund ti ktheje në teknologji bashkëhore rentabël. Nuk e ndoqi këtë rrugë Shqipëria, por ajo ndoqi rrugën e imponuar prej tyre. Pse ne në veçanti?Shumë godina të rrënuara pas 90 u shitën me letra me vlerë, nuk arriti më shm se 20% të vlerës reale” u shpreh Farudin Arapi, Kreu i Kom. të administrimit të fajdeve (1997-2005).
Firmat piramidale në literaturë njihen si një formë investimi e paligjshme , në të cilën secili pjesëmarrës që paguan rekruton dy pjesëmarrës të tjerë. Kthimet që u jepen pjesëmarrësve të hershëm ndodhin duke përdorur para të kontribuara nga personat që marrin pjesë në vijim në këto skema.
Skemat piramidale, ose Ponxi lindin në pjesën informale të tregut kur biznesi dhe ekonomia kanë nevojë për financim.
Por për fat të keq, për një sërë arsyesh të ndryshme, sektori financiar nuk ia mundëson dot këtë dhe e detyron biznesin të drejtohet drejt tregut informal. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri pas viteve 90.
“Por nëse i thërrasim memories historike në atë kohë ne kishim trashëguar nga sistemi para 90 vetëm 3 banka që nuk funksiononin si banka normale, ishin shtetërore dhe nuk kishin konceptin e bankingut komercial. Këto ishin Banka e Kursimeve, BKT dhe Banka Agrare. Nuk mjaftoi kjo. Shqiptarët nuk ishin mësuar me kulturën e kredimarrjes, 91, 92, 93 pati një bum kredi-marrjeje, por shqiptarët nuk ishin mësuar me kulturën e kthimit mbrapsht. Paraja që merret bashkë me interesat duhet kthyer. Mandej patëm një rritje të kredive të këqija” u shpreh Artan Gjergji, Ekspert financash
Kjo cenoi edhe stabilitetin e këtyre 3 institucioneve financiare të brishta. Banka Agrare falimentoi e dy të tjerat patën shumë probleme. Në vitin 1994 Bankës së Kursimeve që ishte edhe furnizuesja kryesore me kredi për biznesin iu hoq e drejta me rekomandim të institucioneve ndërkombëtare drejtuar qeverisë shqiptare të mos jepte më kredi për shkak të rritjes së madhe të nivelit të kredive të këqija që po cenonte stabilitetin e kësaj banke.
“Burimi kryesor i furnizimit me financime të biznesit u mbyll. Pati një presion të jashtëzakonshëm nga komuniteti i biznesit. Kaluam drejt shfrytëzimit të alternativave të tregut informal. Fillimisht bizneset iu drejtuan huamarrjes në tregun e ngushtë, kryefamiljarë, miq, shokë. Marrëdhënia e huasë tentonte të shfrytëzonte hapësirën mes interesit të depozitave dhe dhe kredisë që bizneset merrnin” u shpreh Artan Gjergji, Ekspert financash
Depozitat asokohe ishin me 2%, ndërkohë që biznesi merrte kredi me 8% dhe përpiqej të shfrytëzohej kjo lloj marrëdhënie. Nga pikëpamja financiare bënte kuptim sepse bizneset në atë kohë kishin rritje të biznesit me nivel mesatar 25%.
“Është e logjikshme që një biznes me fitim 25% të marrë hua me interes 6%. Këtu kemi fillimin e krijimit të firmave të para piramidale. Ishin biznese shumë të fuqishme VEVE, Gjallica që kishin shumë biznese, e kishin diversifikuar portofolin, vepronin në sektorë të ndryshëm, dhe kishin nevojë , oreks për fonde. Kjo lloj huamarrje nga tregu informal, u konsiderua si një valvul shkarkimi që i mundësoi biznesit hapësirën për të fituar kohë” u shpreh Artan Gjergji, Ekspert financash.
Problematika që lindi ishte se këtë situatë e shfrytëzuan disa mashtrues që nuk kishin aktivitet financiar. Këtu nisën firmat piramidale.
Një studim i mbi 200 ndërmarrjeve i kryer në fund të vitit 1996 zbuloi se 36 përqind e tyre kishin përdorur tregun informal për të financuar investimet e tyre, krahasuar me 38 përqind që kishin përdorur kredinë bankare.
Top Channel